Kryeministri i Britanisë së Madhe Rishi Sunak në të gjitha deklarimet publike, përmend si histori suksesi uljen me 90 për qind gjatë 2023 të numrit të shqiptarëve mbërritur me gomone krahasuar me vitin 2022.
Mbërritja ilegale e shqiptarëve në shtetin britanik, nisur që prej vitit 1998, është njëra anë e medaljes, pasi janë me mijëra të tjerë që zgjedhin rrugët legale duke aplikuar për viza turistike, bashkim familjar, viza studentore dhe ato të punësimit.
Statistikat e fundit nga Ministria e Brendshme Home Office për periudhën janar-shtator 2023, tregojnë se 42.511 persona aplikuan për viza turistike, prej tyre 23.737 morën viza, 18.750 u refuzuan. Shkalla e miratimit të vizave për shtetasit shqiptarë për këtë kategori vizash ishte 56 për qind.
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1.365 shtetas shqiptarë, prej tyre 1.161 morën aprovimin, ndërsa 200 u refuzuan. Përqindja e marrjes së vizave për këtë kategori ishte 85 për qind.