“Rusia po shqyrton ndërtimin e një baze ushtarake në Serbi”
Lexohet për: 2 min.
Untitled
2 vite më parë
Linku u kopjua

Në Serbi mund të shfaqet një bazë ushtarake e cila do  të kryejë detyra të ndryshme zbulimi dhe do të monitorojë mjedisin, sipas ekspertit ushtarak dhe historianit rus Boris Julin, raporton lenta.ru, një portal rus në pronësi të Sberbanke që nga viti 2020.

Ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Harçenko, shkruan portali, ka folur për këtë duke thënë se “krijimi i bazave ushtarake ruse në Serbi është çështje sovrane e atij vendi”.

Përveç kësaj, shton ai, kjo është një çështje e vetë Rusisë, përcjellin mediat serbe.

"Sa i përket qendrës së përbashkët humanitare, ajo ekziston dhe funksionon për reagim ndaj krizave në rast të fatkeqësive humanitare”, citon Lenta.ru Bocan Harçenko.

Ambasadori theksoi se Serbia është një vend mik dhe se Beogradi "thelbësisht kundërshton sanksionet anti-ruse".

Në të njëjtën kohë, Harçenko iu referua komponentit politik në marrëveshjen për furnizimin e gazit me çmimin më të favorshëm dhe se Rusia siguron stabilitetin energjetik të Serbisë. Vendet, shtoi ai, vazhdojnë edhe “bashkëpunimin ushtarako-teknik, si rezultat i të cilit krijohen kushte të favorshme për cilësinë e asaj që dorëzohet”.

Eksperti ushtarak Julin thekson se nuk është shumë e qartë se çfarë përfitimesh do të ketë krijimi i një baze ushtarake në Serbi.

“Fakti është se bazat ndodhen pranë zonave të armiqësive të mundshme. Por në Serbi, territorialisht, do të jetë plotësisht e shkëputur nga Rusia dhe do të rrethohen nga të gjitha anët nga vendet e BE-së dhe pjesërisht nga vendet e NATO-s. Nuk është e qartë se si është e mundur të përqendrohen forcat dhe të sigurohet një bazë në këtë rast”, thekson Julin.

I vetmi synim i mundshëm i krijimit të bazës, për këtë ekspert ushtarak rus, është një “mision zbulimi dhe vëzhgimi i zonës përreth”, më saktë mbledhja e të dhënave të inteligjencës.

Ai shton gjithashtu se "Bashkimi Evropian mund të fillojë ta perceptojë Serbinë si një burim të mundshëm kërcënimi në rast të një konflikti", gjë që do të kishte pasoja jo shumë të këndshme për Beogradin.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025