Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur të hënën pasdite një mbledhje me ekspertë të ekonomisë së këtij subjekti politik. Në këtë mbledhje, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka paraqitur Plan programin të cilin e kanë quajtur “Rruga e re”, me anë të cilës presin të realizojnë një numër të madh projektesh.
Abdixhiku theksoi se LDK-ja zotohet për investime në infrastrukturë, përfundimin e autostradave dhe ndërtimin e Termocentralit me gaz në vlerë 500 milionë euro. Po ashtu investime sipas Abdixhikut do të ketë edhe në qendrat turistike si në Dukagjin dhe Brezovicë. Në programin e tyre, po ashtu përshihet dhe rritje e pagave në sektorin publik, me koeficient deri 150 euro.
Ai ka folur edhe për investimet qindra milionë euro nëse LDK qeverisë me vendin, duke ndërtuar edhe një spital në Prishtinë në vlerë 250 milionë euro.
“Po parashohim investime të mëdha në infrastrukturë, në përfundimin e gjitha rrugëve dhe autostradave në Kosovë, në gazifikimin e Kosovës në ndërtimin e Termocentralit me gaz, një investim 500 milionë euro në Ferizaj dhe parashohim investime në qendrat turistike ne Brezovicë dhe Dukagjin e po ashtu edhe ndërtimin e një spitali të ri në Prishtinë në vlerë prej 250 milion euro. Pra këto janë diskutimet e brendshme që po bëhen brenda LDK-së për të shtruar përpara projektet identitare të rrugës së re dhe Lidhjes demokratike të Kosovës”, tha Abdixhiku.