Rreth 1 mijë e 500 persona janë diagnostikuar me kancer në nëntëmujorin e këtij viti, duke shënuar një rritje prej më shumë se pesë për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Po ashtu, numri i të rinjve të prekur nga kjo sëmundje malinje ka shënuar rritje. Kanceri i gjirit mbetet më i përhapuri te femrat, ndërsa ai i mushkërive vazhdon të dominojë te meshkujt.
Kështu thotë drejtori i Klinikës së Onkologjisë pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Ilir Kurtishi në një intervistë për KosovaPress.
Kurtishi tregon se nga muaji janar deri në gjysmën e muajit shtator janë regjistruar mbi 300 raste të reja me kancer të gjirit te femrat.
Kurtishi thekson se shqetësuese është rritja e numrit të të rinjve të prekur me kancer.Përveç këtyre, Kurtishi tregon se pritet që objektit të Klinikës së Onkologjisë t’i shtohet edhe një kat tjetër, për të rritur gamën e shërbimeve. Po ashtu, ai thotë se pritet që vitin e ardhshëm të pajisen edhe me një aparat të ri për rrezatim.