Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Bundestagut gjerman, Michael Roth, ka deklaruar se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq nuk është më një partner i besueshëm dhe se në Bashkimin Evropian nuk ka vend për shërbëtorët e Vladimir Putin.
Ai për gazetën “Nova” theksoi se vëzhguesit ndërkombëtarë në zgjedhjet e Serbisë më 17 dhjetor raportuan për blerje votash dhe përdorimin e zgjedhësve fantazmë në favor të partisë së Vuçiq në pushtet - SNS.
Raportuesi në Bundestagun gjerman për Ballkanin Perëndimor, Thomas Hacker pati deklaruar më herët se “monitorues të ndryshëm kishin konstatuar një sërë parregullsish në zgjedhjet serbe”.
Duke kujtuar sesi marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Serbisë dhe Gjermanisë janë intensifikuar ndjeshëm vitet e fundit, ai nënvizoi se nëse gjithçka është vërtet në rregull, atëherë duhet të jetë në interesin e Beogradit që të vërtetojë përmes dokumenteve e duke paraqitur lista zgjedhore se zgjedhjet kanë qenë vërtet demokratike siç pretendon.