Rohde ka një porosi për Kurtin
Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë Jorn Rohde ka dhënë detaje nga vizita e emisarit special gjerman për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarrazin në Kosovë.
Në një postim në rrjetin X, diplomati gjerman ka shkruar se Sarrazin vizitoi Kosovën për t’i bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të bëjë kompromis për marrëveshjen për CEFTA-s.
“Përfaqësuesi i Gjermanisë Manuel Sarrazin vizitoi përsëri Kosovën për të nxitur kryeministrin e Kosovës për të bërë kompromis për CEFTA-n, duke mundësuar liritë kryesore për qytetarët Kosovës (liria e lëvizjes së mallrave), duke zëvendësuar UNMIK-un me Kosovën në bordin e CEFTA-s, por pa sukses”, ka shkruar ai.
Rohde ka tërhequr vërejtjen se nëse është e nevojshme do të vazhdohet pa Kosovën.
“Nëse ka nevojë, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor do të vazhdojnë përpara pa Kosovën për momentin, në mënyrë që të avancojnë bashkëpunimin rajonal dhe Procesin e Berlinit”, ka shkruar ai.
Sarrazin gjatë vizitës në Kosovë tha se është i brengosur që nuk ka parë rezultate konkrete për avancimin e lirisë së lëvizjes, mallrave dhe parasë në kuadër të Procesit të Berlinit.