Rizvanolli: Trepça keqpërdoret, u punësuan njerëz për vota
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka dekalruar se kompania Trepça është objekt i keqpërdorimit të pafundmë, ku thekson se ‘atje janë punësuar njerëz për të blerë vota e ka vjedhur, e dikush keqpërdor fotografitë e minatorëve për qëllime politike’.
Ministrja Artane Rizvanolli ka shkruar në Facebook se bashkëbisedimi që kishin dje me minatorët e të tjerët ishte jashtëzakonisht i vlefshëm, i hapur e i sinqertë.
“Trepça, objekt i keqpërdorimit të pafundëm: dikush ka punësuar njerëz për të blerë vota e ka vjedhur, e dikush keqpërdor fotografitë e minatorëve për qëllime politike. Bashkëbisedimi që kishim dje me minatorët e të tjerët ishte jashtëzakonisht i vlefshëm, i hapur e i sinqertë. Ne u morëm vesh shumë mirë: nuk duhet të fshihet keqpërdorimi prapa djersës së minatorit. Me shumë kënaqësi do të bashkëbisedoj me ata/o që janë sinqerisht të interesuar për sfidat e Trepçës e çfarë po ndodh aty, e jo thjesht për të shtrembëruar e keqpërdorur vështirësitë e ndërmarrjes për klikime e poena politike”, shkruan Rizvanolli.
Gjatë ditës nga LDK-ja kanë reaguar lidhur me prezencën e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla gjatë ditës së djshme në Trepçë. Këtë vizitë e ka kritikuar ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti, i cili tha se ‘turpëron Qeverinë e në veçanti ministren Rizvanolli”.