Rival lokal me Ballkanin, ekipi i Suharekës synon Superligën
Lexohet për: 2 min.
suhareka-160723
1 vit më parë
Linku u kopjua

Klubi i futbollit Suhareka është skuadra më e re në skenën e futbollit kosovar që në edicionin e ri do të garojë në Ligën e Parë.

Themelimi i këtij klubi u bë nga bashkimi i forcave të pesë aksionarëve, të cilët kanë nisur menjëherë punën ambicioze që kjo skuadër të jetë në mesin e ekipeve që synojnë inkuadrimin në Superligën e Kosovës.

Serioziteti i këtij projekti u pa që në ditët e para kur klubi arriti marrëveshje me trajnerin me përvojë në futbollin kosovar Granit Begolli. Ky i fundit thotë për KosovaPress se nga ajo që ka parë në këto pak ditë pune, ky klub do të jetë shembull i organizimit për të gjitha skuadrat e tjera kosovare.

Ish-trajneri i Feronikelit e thotë hapur që me Suharekën synon inkuadrimin e menjëhershëm në Superligë, derisa tregon edhe nëse skuadra që e drejton synon të jetë rival i denjë për kampionin e Kosovës, Ballkanin.

Tutje, Begolli zbulon për KosovaPress se skuadra do t’i bëjë edhe dy përforcime që mund të jenë nga skuadrat që janë pjesë e Superligës së Kosovës.

Qemajl Elshani është futbollisti që e la Lirinë për Suharekën, edhe pse skuadra prizrenase është pjesë e Superligës. Pas këtij vendimi të tij, Elshani thotë se ka vetëm një arsye.

Udhëheqja nga trajneri Granit Begolli dhe kontingjenti i lojtarëve, sipas futbollistit Donart Sheqerolli, janë arsyet që tregojnë se kjo skuadër është ambicioze dhe pretendente për majat e tabelës në edicionin debutues të saj.

Por, përtej të gjithë këtij serioziteti, Suharekës i mungon një fushë stërvitore me kushte optimale për stërvitje.

Adrian Hoxhaj, që është njëri nga aksionarët e klubit, thekson se janë në bisedime me kryetarin e Suharekës, Bali Muharremajn që përveç ndeshjeve, edhe stërvitjet t’i zhvillojnë në stadiumin e këtij qyteti.

Hoxha në fund shton se drejtuesit e këtij klubi do të punojnë me përkushtimin më të madh që Suhareka të ecën hapave të Ballkanit për të arritur suksese të mëdha./A.Bytyçi

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025