"Ripyllëzimi-rruga e rimëkëmbjes dhe mirëqenies"
Lexohet për: 3 min.
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Dita Ndërkombëtare e Pyjeve shënohet duke theksuar rëndësinë e këtyre ekosistemeve shkatërrimi i të cilave rrezikon shëndetin e njeriut dhe shëndetin e planetit tonë.

Nga ajri që thithim e deri tek drunjtë që përdorim, pyjet janë thelbësore për jetën tonë. Ato përfaqësojnë një habitat për më shumë se gjysmën e llojeve tokësore të botës, kurse globalisht më shumë se një miliard njerëz jetojnë në pyje dhe rreth tyre. Pas oqeanit, pyjet janë rezervati më I madh e karbonit. Pavarësisht nga të gjitha shërbimet që ato na ofrojnë, ne po i shkatërrojmë pyjet me një shpejtësi alarmante.

Ndikimet e faktorit njeri kanë shkaktuar tashmë humbjen e rreth 40% të pyjeve në botë dhe kërkesa globale për produkte nga druri pritet të trefishohet gjatë tre dekadave të ardhshme.

Sipërfaqja pyjore në Kosovë është rreth 481.000 ha ose 44.7% e sipërfaqes totale. Sipas ligjit për pyjet, Pyjet e Kosovës janë resurse kombëtare, do të udhëhiqen në atë mënyrë që të ofrojnë rendimente me vlerë dhe në të njëjtën kohë të ruhet biodiversiteti për të mirën e gjeneratave të tashme dhe të ardhshme. Mbrojtja e pyjeve të Kosovës, ende mbetet në nivel jo të duhur.

Sipas disa hulumtimeve, niveli i shfrytëzimit të pyjeve dhe nevojave për dru zjarri është më e lartë se sa rritja vjetore e tyre. Në bazë të Inventarizimit të Pyjeve të Kosovës, rritja vjetore e pyjeve është rreth 1.5 milionë metra kub, kurse prerja e lejuar është rreth 1.4 milion metra kub, ndërsa sipas disa hulumtimeve, shfrytëzimi i drurit për ngrohje arrin në rreth dy milionë metra kub.

Kjo na paraqet një tejshfrytëzim të pyjeve nga mundësia e rritjes vjetore. Prerjet e kontrolluara dhe planifikuara nga institucionet përgjegjëse janë në nivel shumë të ulët krahasuar me kërkesat vjetore të popullatës. Mbi 80% e masës drusore konsiderohet se prehet në mënyrë jo të rregullt.

Në vazhdimësi, për vite të tëra ndodhë shfrytëzim i pa planifikuar dhe prerje e pa kontrolluar e pyjeve, degradimi i tokave pyjore nga ndërtimet, gurëthyesit, zjarret etj. Për shkak të këtyre degradimeve, pyjet po e humbin rolin e tyre dhe këto janë vetëm disa nga problemet e pyjeve në Kosovë. Zjarret pyjore, për momentin, janë shkatërruesit kryesorë të pyjeve ku brenda vitit digjen me qindra apo mijëra hektarë. Për shkak të të gjitha këtyre degradimeve, pyjet po e humbin rolin e tyre shumë funksional duke siguruar ushqim, ujë të pastër dhe ajër të pastër, rekreacion, materiale ndërtimi - me një fjalë, ekzistencë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024