Riho Terras nga Estonia emërohet raportues për Kosovën në PE
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Riho Terras nga Estonia emërohet raportues për Kosovën në PE
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Eurodeputeti estonez nga Partia Popullore Evropiane (PPE), Riho Terras, është emëruar të hënën raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE).

Parlamenti Evropian e kompletoi të hënën listën e raportuesve për vendet e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE).

Për emërimin e Terrasit në këtë post u pajtuan në grupin e PPE-së në Komisionin për politikë të jashtme.

Riho Terras është ish-ushtarak nga Estonia, i cili ka qenë deputet edhe në përbërjen paraprake të Parlamentit Evropian.

Më herët, grupet politike në PE ishin pajtuar që të ndajnë mes vete postet e raportuesve për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Pas kësaj, secili grup vendosi nga radhët e veta të emërojë një raportues për shtetin përkatës.

Grupit të PPE-së kësaj radhe i takon posti i raportuesit për Kosovën. Tradicionalisht, në 20 vjetët e fundit raportuesi për Kosovën gjithmonë nga qenë nga radhët e Grupit të të Gjelbërve. Ky grup shënoi rënie të mbështetjes në zgjedhjet e fundit për PE të mbajtura më herët gjatë këtij viti.

Nga radhët e EPP-së si raportues për Bosnje e Hercegovinë është caktuar deputeti Onderj Kolar nga Çekia.

Raportues për Serbinë në PE është caktuar të jetë deputeti socialdemokrat nga Kroacia, Tonino Picula.

Nga pushteti në Serbi ka pasur reagime të ashpra, shpesh edhe fyese, pas emërimit të këtij ish-ministri të Jashtëm të Kroacisë si raportues për këtë vend.

Për Maqedoninë e Veriut raportues do të jetë deputeti i gjelbër, Thomas Waitz nga Austria. Deputeti liberal nga Sllovenia, Marjan Sharec, do të jetë raportues për Malin e Zi.

Raportues për Shqipërinë do të jetë deputeti nga Austria, Andreas Shrieder.

Raportues për Ukrainën do të jetë Mikchael Gahler nga EPP, për Moldavinë Sven Mikser nga radhët e Socialistëve dhe Demokratëve, për Gjeorgjinë Rasa Jukneviçiene nga EPP, ndërsa për Turqinë Nacho Sanchez Amor nga Socialistët dhe Demokratët.

Këta raportues në pesë vjetët e ardhshme do t’i ndjekin për së afërmi zhvillimet në vendet përkatëse dhe do t’i përpilojnë raportet vjetore.

Përmes këtyre raporteve do të vlerësohet përparimi i këtyre vendeve në procesin e reformave dhe në përmbushjen e kritereve për integrim në Bashkimin Evropian. Këto raporte pastaj miratohen edhe si rezoluta të Parlamentit Evropian./REL/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024