Rezoluta e Srebrenicës, shtetet diktatoriale dhe kriminale që përkrahën Serbinë në OKB
Lexohet për: 2 min.
Aleksandar Vuçiq Nju Jork
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi dje rezolutën për gjenocidin serb në Srebrenicë të Bosnjës me 84 vota pro, 19 kundër dhe 68 abstenime.

Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë u prezantua dje në seancën e Asamblesë së Përgjithshme me temën "Kultura e paqes".

Projekt-rezoluta i kërkon Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara të krijojë një program informacioni të titulluar "Gjenocidi në Srebrenicë dhe Kombet e Bashkuara" për të filluar përgatitjet për 30-vjetorin e përkujtimit në 2025 dhe më tej i kërkon Sekretarit të Përgjithshëm t'u dërgojë një rezolutë të gjithë anëtarëve shteteve, organizatave të sistemit të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të shoqërisë civile, thuhet në projekt-rezolutën.

Në preambulën e tekstit thuhet se “përgjegjësia penale sipas ligjit ndërkombëtar për krimin e gjenocidit është e individualizuar dhe nuk mund t'i atribuohet asnjë grupi apo komuniteti etnik, fetar apo tjetër në tërësi”. Për miratimin e projekt-rezolutës kërkohej një shumicë e thjeshtë e anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme.

Pro miratimit të projekt-rezolutës, ndër tjera, votuan Shqipëria, Australia, Austria, Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kanadaja, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Sllovenia.

Kurse, kundër votuan Serbia, Siria, Kina, Rusia, Bjellorusia, Hungaria, Dominika, Kuba, Antigua, Mali, Eritrea.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid në vitin 2007.

Ajo konstatoi se Serbia nuk ishte përgjegjëse për aktin e as bashkëpunëtore, por deklaroi se ajo nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë.

Për gjenocidin e kryer, deri më tash, u dënuan më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg.

Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024