Ftesën e Prokurorisë Speciale për intervistim të kryeministrit Albin Kurti, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu po e konsideron përpjekje për ta dëmtuar Lëvizjen Vetëvendosje në prag të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Duke e përmendur rastin e rezervave shtetërore, ajo thotë se ftesa ka mundur të bëhet më herët.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu për KosovaPress thotë se Prokuroria Speciale po zhvillon “një luftë speciale” kundër qeverisë Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas Haxhiut, kjo ftesë është tendencioze.
Në gusht të vitit të kaluar, gjatë një aksioni, Prokuroria Speciale kishte arrestuar një biznesmen dhe dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nën dyshimin për dallavere me rezervat shtetërore.Më vonë, Zyra e Kurti tha se “kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”.
Këtë, Haxhiu e konsideron si diçka “normale nëse Prokuroria Speciale dëshiron dëshminë e Kurtit për rastin penal për të cilën është ftuar”.
Ftesa e Prokurorisë Speciale ishte bërë më 11 dhjetor.