Emergjenca Civile në Shqipëri ka dalë me të dhënat e fundit rreth gjendjes në disa nga zonat më të prekura nga reshjet e dendura dhe stuhitë e borës që kanë kapluar gjatë ditës vendin.
Të dhënat e orës 18:30 për Bashkinë Shkodër tregojnë se aksi rrugor Bogë-Theth është i kalueshem, mjetet vijojne punën në këtë aks rrugor, teksa njësitë administrative Shalë dhe Shosh për momentin nuk kanë energji elektrike.
Firmat mirëmbajtëse janë në terren, të organizuar me mjete dhe personel për të përballuar çdo situatë të mundshme.
Situata në Bashkinë Malësi e Madhe paraqitet e stabilizuar dhe nuk raportohet për akse rrugore të bllokuara, teksa furnizimi me energji elektrike vijon normalisht.
Situata për Bashkinë Pukë po shkon drejt normalizimit. Reshjet e borës kanë pushuar, ndërsa po vazhdon puna për pastrimin e rrugëve urbane dhe rurale.
Në territorin e Bashkisë Fushë-Arrëz, situata vijon vështirë për shkak të reshjeve të borës. Në aksin rrugor të Iballes janë bllokuar edhe pesë automjete të tjera. Një fadromë dhe foristradë janë nisur për ndihmë. Rrugët që lidhin fshatrat me qendrat administrative janë të bllokuara, ndërsa vazhdon mungesa me furnizim të energjisë elektrike në disa fshatra. Momentalisht reshjet e borës kanë pushuar.