Reformat e deritanishme në drejtësi nuk prodhuan rezultate, nevojitet vetting i thellë
Lexohet për: 7 min.
317567335_541998434459842_476370918185305804_n
2 vite më parë
Linku u kopjua

Me moton “Bashkë kundër Korrupsionit”, nga sot Koalicioni i organizatave të shoqërisë civile ka nisur “Javën kundër Korrupsionit për vitin 2022” përmes të cilës javë synohet sensibilizimin për luftimin e korrupsionit.

Në kuadër të kësaj Jave sot u mbajt edhe një tryezë me temën “Reformat në drejtësi”, ku u theksua se përkundër nismave ligjore për reformë në drejtësi, sistemit i gjyqësor vazhdon të mos jetë transparentë dhe efikas.

Nga ky takim edhe njëherë nga shoqëria civile u theksuar nevoja për procesin e vettingut, derisa u kritikua edhe disa nisma ligjore të ndërmarra nga qeveria aktuale.

Drejtoresha ekzekutive në Lëvizjen Fol, Mexhide Demolli u shpreh se në kuadër të “Javës kundër Korrupsionit” do të organizojnë aktivitete të shumta që kanë për qëllim luftimin e korrupsionit në fusha të ndryshme.

“Gjatë kësaj jave do të ketë aktivitet të ndryshme me qëllim të vetëm që kanë luftimin e korrupsionit në fushat e ndryshme... Duke qenë të vetëdijshëm për tranzicionin nëpër të cilin kanë kaluar  institucionet e Kosovës, si dhe nevojën e vazhdueshme për progres dhe reforma në sistemin e drejtësisë si një nga hallkat më të rëndësishme të sistemit shtetëror... Reforma këto që synojnë ndër të tjerash të parandalojnë dhe luftojnë korrupsionin të rrisin besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë si dhe të rrisin cilësinë dhe efektivitetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, theksoi Demolli.

Eros Gashi, këshilltar në Ministrinë e Drejtësisë, tha se përkundër që legjislacioni është përmirësuar dukshëm, mos efikasiteti i organeve të drejtësisë është evident.

Gashi theksoi se sistemi gjyqësor në Kosovë përkundër reformave të ndërmarra karakterizohet me grumbullim të lëndëve, zvarritje, shqiptime të dënimeve të ulëta.

Ai tutje ka përmendur nismat ligjore që Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë teksa vuri theksin te procesi i vettingut, por edhe te themelimi i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme e reformat legjislative në Këshillin Prokurorial.

“Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria janë marrë jashtëzakonisht shumë me tërësinë e iniciativave ligjore për reforma në drejtësi dhe realizimin e prioriteteve qeveritare për realizimin e këtij qëllimi. Iniciativa për të reformuar sektorin e drejtësisë ka pasur edhe në qeverisjet e kaluar që nga viti 2008 kur institucionet e Kosovës kishin zgjeruar kompetencat në administrim e drejtësisë, por megjithatë reformat e deritanishme, mos-efikastiteti i organeve të drejtësisë është evident. Sistemi gjyqësor në vendin tonë ende karakterizohet me grumbullim të lëndëve, zvarritje, vonesa, parashkrime, por edhe shqiptime të dënimeve të ulëta. Në praktikën e sundimit të ligjit rezultatet kanë munguar edhe pse legjislacioni është përmirësuar në masë të konsiderueshme dhe buxheti për sektorin e drejtësisë ka shënuar rritje përgjatë viteve”, u shpreh Gashi.

Hulumtuesi i GLPS-së, Liridon Salihi, u shpreh se sistemi i drejtësisë në Kosovë ka nevojë për reforma të mirëfillta me qëllim që të prodhohen rezultate konkrete për adresimin e sfidave të gjyqësorit.

Ai theksoi si pozitive faktin që tashmë pakoja e procesit të vettingut ndodhet në Kuvend, dhe sipas Salihit vetëm përmes vettingut me ndryshime kushtetuese mund të arrihet reformim në sistemin e drejtësisë.

“Pavarësisht reformave që kanë qenë dhe në të kaluarën ne konsiderojmë që të njëjtat nuk kanë prodhuar ndonjë progres substancial duke qenë se edhe në vitin 2022 sistemi gjyqësor vazhdon të jetë jo transparent, jo efikas dhe i cenueshëm edhe nga ndikimet qoftë brenda apo jashtë pushtetit gjyqësor. Si GLPS e vlerësojmë si pozitive që tashmë e kemi gati pakon e vettingut, e cila i është bartur Kuvendit të Kosovës për procedim të mëtejmë e që kjo pako me përgjithësi ka përfshirë rekomandimet e Komisionit të Venecias. Pra, konsiderojmë se të gjitha këto probleme në sistemin e drejtësisë mund të adresohen nëse kemi vullnetin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës që përmes ndryshimeve kushtetuese të bëhet vettingu si mënyra më adekuate për të reformuar sistemin e drejtësisë në vendin tonë“, deklaroi Salihi.

Kritikë karshi nismave legjislative e vendimeve qeveritare ishte Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi i cili vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve e quajti si shembull të keq në drejtësi.

Ai theksoi po ashtu se asnjë reformë nuk ka kuptim pa një proces të thellë të vettingut, për çka u shpreh se përkundër që kjo qeveri ka ardhur tash e dy vjet ende ka nisur ky proces.

Gëzim Shala nga IKD e konsideroi shqetësuese qasjen e Gjykatës Kushtetuese, e cila deri më tani nuk ka marr ndonjë vendim për ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, derisa vlerësoi se edhe ndryshimet e  reja të Projekt-kodit Penal dhe atij të Procedurës Penale në raport me dhunën në familje cenojnë pikërisht të drejtat e viktimave.

“Asnjë reformë nuk ka kuptim nëse nuk zhvillohet një proces i thellë i vettingut në sistemin e drejtësisë. E kemi parasysh se problemet dhe mungesa e rezultateve, skandalet e shumta në sistemin e drejtësisë nuk janë si derivat i problemeve ligjore, por si derivat i aspekteve subjekteve të personave të caktuar brenda sistemit të drejtësisë, dhe përkundër faktit që qeveria ka ardhur me premtim për ta zhvilluar procesin  e vettingut brenda një afati optimal, por bëhen gati dy vjet që ka ardhur kjo qeveri dhe ende nuk e kemi as të filluar procesin e vettingut, as të përfunduar dosjen e vettingut... Sa i përket Byrosë për Verifikimin dhe Konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme në MD, shoqëria civile dhe publiku ishin përjashtuar nga komentet, ishte shkurtuar afati i konsultimeve publike dhe kishte ardhur një ligj siç kishte ardhur, opinioni i Komisionit të Venecias praktikisht nuk jep vërejtjet, por praktikisht thotë se ky ligj duhet të shkruhet nga pika zero dhe kjo ka qenë arsyeja se pse kemi rekomanduar që të kthehet në Ministrinë e Drejtësisë dhe që kjo nuk ka ndodhur”, theksoi ai.

Koordinatori i projektit për drejtësi në kuadër të kabinetit të qeverisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda u shpreh se kjo qeveri e cila është që dy vite në pushtet ka pas mungesë totale të koordinimit me pushtetin gjyqësor.

Sipas tij sistemi gjyqësor vazhdimisht është sulmuar dhe komentuar nga pushteti.

Edhe në këtë takim të ftuar nga shoqëria civile ndonëse ishin të ftuar të pranishëm nuk ishin përfaqësues nga Këshilli Prokurial dhe ai Gjyqësor i Kosovës, të cilët pas vendimit të Qeverisës ë Kosovës për uljen e pagave për ta kanë marrë vendim që të bojkotojnë aktivitetet qeveritare.

Koalicioni i OJQ-ve përfshinë Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Lëvizjen Fol, Iniciativën për Progres, Çohu dhe Colombus.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024