Dhoma e Tregtisë dhe e Industrisë Kosovë (DhTIK) në cilësinë e përfaqësueses së bizneseve të vendit, shpreh shqetësimin e thellë në lidhje me praktikën e vazhdueshme të përdorimit të IP adresave serbe nga provajderët e internetit në Kosovë.
Në reagimin e DHTIK thuhet se ky veprim ka shkaktuar pasoja negative të rëndësishme për qytetarët dhe bizneset vendore, duke sjellë dëme ekonomike të vlerësuar në miliona euro.
Kjo situatë sipas dhomës ka pasoja serioze për bizneset në Kosovë, duke përfshirë edhe ato që merren me marketingun online.
“Për shembull, një blogger kosovar që reklamon në gjuhën shqipe nuk përfiton asgjë nga reklamat serbe që shfaqen në faqen e tij. Kjo situatë e papranueshme shkakton dëme potenciale në të ardhurat dhe vlerën e punës së tyre”, thuhet në njoftim.
Për këtë arsye, DHTIK thotë se kanë kemi bërë thirrje që të ndryshohet përdorimi i IP adresave serbe nga provajderët e internetit në Kosovë dhe të përdoren IP adresa të Shqipërisë për të lejuar bizneset tona të përfitojnë nga reklamat dhe ofertat.
“Në këtë kontekst, kërkojmë nga Qeveria e Kosovës dhe Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) të marrin masa të menjëhershme për të vendosur rregulla të qarta lidhur me përdorimin e IP adresave nga provajderët e internetit kabllorë në Kosovë. Kërkojmë që IP adresat e përdorura të jenë nga Shqipëria deri në momentin e marrjes së IP adresave zyrtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
“Ne shpresojmë që kërkesat tona të merren parasysh dhe se veprimet e menjëhershme do të ndërmerren për zgjidhjen e kësaj çështje të rëndësishme”, thuhet në reagimin e Dhomës së Tregtisë dhe e Industrisë Kosovë.