Rasti në “Bon Vivant”, FSK dhe MB mohojnë se viktima ishte pjesëtar i ushtrisë
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua
Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës bënë të ditur sot se nuk është i vërtetë lajmi se një pjesëtar i FSK-së ka vdekur si pasojë e plagosjes në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë.
Por, FSK potencoi se sipas informacioneve zyrtare, në këtë ngjarje ishte i përfshirë një pjesëtar i saj.
“Informacionet që janë duke qarkulluar në media për rastin e mbrëmbshëm, se i vrari është pjesëtar i FSK-së, nuk janë të vërteta. Sipas informacioneve zyrtare, në këtë ngjarje ishte i përfshirë edhe një pjesëtar i FSK-së. Forca e Sigurisë së Kosovës pas verifikimit të të gjitha informatave nga autoritetet kompetente të sigurisë, do të veproj bazuar në ligjet dhe rregulloret në fuqi të FSK-së.”, u shkrua në faqen zyrtare të FSK-së në Facebook.
Ndërsa, Ministria e Mbrojtjes (MB) bëri të ditur se FSK është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet kompetente të sigurisë, Policinë e Kosovës për të verifikuar informacionin nëse në çfarëdo forme në konflikt ishte i përfshirë ndonjë pjesëtar i FSK-së.
“Lajmi që është duke qarkulluar në media se në konfliktin e mbrëmshëm me armë në lokalin në qendër të kryeqytetit Bon Vivant, mbeti i vrarë një pjesëtar i FSK-së është i pavërtetë. Ndërsa ju njoftojmë se Forca e Sigurisë së Kosovës është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet kompetente të sigurisë, Policinë e Kosovës, për të verifikuar informacionin nëse në çfarëdo forme në këtë konflikt ka qenë i përfshirë dhe ndonjë pjesëtar i FSK-së. Me të vërtetuar këtë, rasti do të hetohet bazuar në ligjet dhe rregulloret në fuqi të FSK-së.”, bëri të ditur MB.
Ndryshe, një person ka vdekur sot si pasojë e plagosjes në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë. Sipas Policisë, në “Bon Vivant” katër persona janë plagosur nga arma e zjarrit, ndërsa, 17 janë lënduar nga thyerja e gotave-shishave të qelqit. Lidhur me rastin, një person i dyshuar gjendet në arrati./KosovaPress