Mediat amerikane janë duke raportuar se drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) William Burns, ka udhëtuar javën e kaluar në Ukrainë për të zhvilluar bisedime sekrete me presidentin e shtetit, Volodymyr Zelensky.
As zyra e Zelenskyt, dhe as zyrtarë të Qeverisë ukrainase, nuk i kanë komentuar publikisht raportimet për udhëtimin e Burns-it.Komandantët ushtarakë ukrainas kanë paralajmëruar publikisht se Rusia mund të jetë duke u përgatitur për një ofensivë të re. Vetë Ukraina besohet se është duke krijuar terren për kundërofensivën e saj.
Të dyja palët janë aktualisht të përfshira në luftime të ashpra për të fituar kontrollin e qytezave ukrainase në lindje, përfshirë Bahmutin dhe Soledarin. “Drejtori Burns ka udhëtuar në Kiev, ku është takuar me homologë ukrainas të inteligjencës, si dhe me presidentin Zelensky për të rikonfirmuar mbështetjen tonë të vazhdueshme për Ukrainën në mbrojtje, kundër agresionit rus”, ka raportuar Post, duke u bazuar në një zyrtar amerikan të paidentifikuar.
Më herët gjatë kësaj jave, në kryeqytetin ukrainas kanë qenë: Wendy Sherman, zëvendëssekretare amerikane e Shtetit, Colin Kahl nënsekretari amerikan i Mbrojtjes dhe Jon Finer, zyrtar i lartë për siguri kombëtare në Shtëpinë e Bardhë.
Po këtë javë, komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, Valery Zaluzhny është takuar me homologun e tij amerikan, gjeneralin Mark Miller në Poloni, për të diskutuar më shumë hollësi rreth luftës.