Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), do të shqyrtojë kthimin e borxheve të kompanisë Ferronikel, të cilat janë falur nga udhëheqësit e bordit paraprak. Në mbledhjen e komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, pozita ka kërkuar nga bordi i KPMM-së ta trajtojë me prioritet çështjen e Ferronikelit. Ndërkaq, nga KPMM është bërë e ditur se detyrimet e ndërmarrjeve në vit ndaj këtij komisioni janë rreth 40 milion euro.
Po ashtu deputetët e pozitës dhe opozitës kanë kërkuar më shumë transparencë nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).
Për këtë, kryesuesi i Bordit, Hamit Basholli është zotuar se do trajtohet, dhe gjithë vendimmarrja siç tha ai, nëse ka pas shkelje edhe gjatë viteve të kaluara do të kthehen borxhet në mënyrë retroaktive.
Anëtari i Bordit nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale i Kosovës, Bahri Karaça derisa ka prezantuar raportin e vitit të kaluar, ka përmendur ndërmarrjet që nuk i kanë kryer obligimet financiare gjatë këtij viti.Në anën tjetër, deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka theksuar se po mungon shumë transparencë nga ajo që po kërkohet nga ky komision.
Edhe deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja ka thënë se nevojitet më shumë transparencë në këtë drejtim.
Në rend dite në mbledhjen e këtij komisioni ishte shqyrtimi i raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), për vitet 2022, 2023 dhe 2024.