Ramadani flet për derbin Prishtina-Drita
Në kuadër të xhiros së 20-të, Drita do të takohet me Prishtinën, nesër e shtune në stadiumin “Fadil Vokrri" në Prishtinë, ora 17:00.
Për kryetrajnerin e Dritës, Zekirija Ramadani këto ndeshje janë derbi dhe janë vërtetë të 'zjarrta' në fushë.
"Nesër do të luhet derbi i xhiros, ku do të luhet në orarin e mbrëmjes ku për ne jashtë do të jetë pak ftohtë, mirëpo jam i bindur se për futbollistët brenda në fushë flet shumë nxehtë. Një fushë shumë e mirë, skuadër entuziaste por gjithmonë mbështetemi te skuadra jonë, objektivi jonë, jemi në rrugën e duhur, jemi lider, gjithçka varet nga ne, nuk duhet të bëjmë hapa fallco, por duhet të bëjmë maksimumin", ka thënë Ramadani në konferencën për media, përcjellë KosovaPress.
Ramadani foli edhe për mungesat në këtë përballje, për çka tha se do të mundohen t'i mbulojnë.
"Çdo mungesë e vuajmë ngapak dhe secili që e zëvendëson tjetrin e bënë më të mirën, por gjithmonë jam një trajner që mund të kënaqem me kaq dhe gjithmonë kërkoj më tepër nga futbollistët dhe vetja sepse futbolli nuk ka perfeksion dhe gjithmonë duhet të punojmë, gjithmonë duhet të angazhohemi për të qenë më mirë në çdo javë, çdo xhiro dhe në çdo kampionat", përfundoi ai.
Ai tha se në gjysmë edicionin pranveror më shumë kërkohet rezultati, se sa estetika.
"Kur është në pyetje stinori pranveror më tepër në fokus është arritja e objektivit sesa loja e bukur. Skuadrat kërkojnë objektivin ndonjëherë është një pikëshi, ndonjëherë tri pikëshëshi. Është mbrëmje, derbi mund të vendos një moment dhe shpresoj që ai moment të jetë në anën tonë", theksoi ai