Rama: S’do të ketë tarifa për automjetet që hyjnë në Prishtinë nëse Qeveria zhbllokon fondet e BERZH-it
Kryetari i Prishtinës Përparim Rama tha se propozimi për vendosjen e një tarife për automjetet që hyjnë në Prishtinë nuk do të jetë i nevojshëm nëse Qeveria zhbllokon fondet e siguruara nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për ndërtimin e unazës së qytetit.
Rama tha se ideja për tarifimin e automjeteve që nuk janë të regjistruara në kryeqytet është vetëm një propozim për diskutim publik dhe jo një vendim i marrë.
Sipas propozimit, tarifa do të mund të ishte 1 deri në 2 euro për automjetet që hyjnë në qendër të Prishtinës, ndërsa deri në 10 euro për kamionët e mëdhenj që qarkullojnë në qendër. Rama tha se vendimi i fundit do t’u takojë qytetarëve.
Ai tha se arsyeja e shqyrtimit të kësaj alternative lidhet me nevojën për financimin e projekteve të mëdha infrastrukturore, në veçanti ndërtimin e unazës së qytetit, e cila synon të lehtësojë trafikun, të reduktojë kolonat dhe ndotjen, si dhe të përmirësojë lëvizjen në kryeqytet.
“Arsyeja pse po e shqyrtojmë këtë mundësi është e thjeshtë: Prishtina ka nevojë urgjente për investime të mëdha infrastrukturore, veçanërisht për ndërtimin e unazës së kryeqytetit, një projekt që do të zvogëlonte kolonat, do të lehtësonte qarkullimin, do të reduktonte ndotjen dhe do të përmirësonte cilësinë e jetës për të gjithë. Po e ritheksoj se kjo nuk është një tarifë e planifikuar apo e vendosur. Po diskutohet si alternativë në rast se fondet e BERZH-it vazhdojnë të mbeten të bllokuara nga kjo qeveri”, shkroi në Facebook Rama.
Sipas tij, paketa financiare për realizimin e këtij projekti arrinte vlerën e rreth 206 milionë eurove, ku deri në 40 për qind e shumës ishin grant, pra mjete që nuk do të duhej të ktheheshin nga qytetarët.
“Ekziston një zgjidhje shumë e thjeshtë: zhbllokimi i fondeve të BERZH-it dhe lejimi i realizimit të projektit të unazës së qytetit. Nëse këto fonde zhbllokohen nga Qeveria, nuk do të ketë tarifa për askënd”, ka thënë ai.
Tutje, Rama u shpreh se tarifa e kongjestionit po shqyrtohet vetëm si një mekanizëm alternativ financimi në rast se fondet vazhdojnë të mbeten të bllokuara, duke shtuar se zhvillimi i Prishtinës nuk duhet të mbetet peng i përplasjeve politike.
Rama ka ftuar qytetarët, ekspertët, bizneset dhe organizatat e shoqërisë civile që të kontribuojnë me propozime dhe ide gjatë debatit publik për këtë çështje.
/Kosovapress/