Rama: Pa krerët e UÇK-së, ata që sot i japin gojës pa fre nuk do të kishin gojë fare
Lexohet për: 3 min.
rama-123
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se mbetet i habitur se si udhëheqësit e një lëvizje çlirimtare, popullore të organizuar jo si ushtri e rregullt por si rebelim kundër një regjimi brutal që synonte të spastronte etnikisht shqiptarët në Kosovë, akuzohen si kriminelë.

Rama ka thënë se njëri që vet presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden e pagëzoi si Xhorxh Uashingtoni i Kosovës, është i mbyllur për një periudhë gati një vjeçare gjë që është jashtë çdo lloj imagjinate në raport me të drejte humanitare ndërkombëtare.

Rama është pyetur që derisa në Prishtinë, mbahej marshi, ai ishte krah presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për të cilin tha se ishte një rastësi.

Ai shtoi se ajo që po kalojnë ish-krerët e UÇK-së në Hagë, është diçka e tmerrshme por ata janë njerëz që e kanë sfiduar sensin e përgjithshmë edhe më parë dhe në mënyrë shumë ekstreme.

“Shumëkush e harron sepse kështu është jeta, nganjëherë kështu janë njerëzit dhe nganjëherë politika dhe cinizmi i errin sytë shumëkujt dhe nuk janë të gjithë që e mendojnë sot se pa Hashim Thaçin dhe ata që janë atje por edhe pa heronjtë, dëshmorët dhe protagonistët që dhanë jetën ose jo të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot askush nga ata që i japin gojës pa fre nuk do të kishin gojë fare sepse nuk do t’i linte njeri që të hapin gojën por nga ana e tjetër unë kam admirim për forcën, durimin, kokforcinë që Hashimi dhe të atyre për t’ia dal edhe në këtë betejë që është po aq e barabartë sa ishin atëherë me armikun, edhe pse kjo nuk është betejë me armikun por me mikun“, tha ai.

Rama shtoi se nuk kanë diskutuar me Vuçiq për incidentet e fundit në veri të Kosovës, pasi kishin takime në panair.

“Incidentet dhe përplasjet nuk kanë munguar por gjatë gjithë këtij procesit, gjërat kanë evoluar. Sot kemi kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë që janë në një fazë të avansuar të procesit të normalizimit dhe siç e kam shkruar, takimi i fundit me Albinin ka qenë një takim që më ka bërë të besoj se jemi në një fazë pozitive, prandaj edhe unë e mbështes plotësisht kryeministrin e Kosovës në këtë përpjekje, nuk i kuptoj fare ata që e konsiderojnë tradhtar, natyrisht për gjëra që ai i ka konsideruar tradhtarë tjerët më përpara, por kjo nuk ka asnjë lidhje sepse këto janë gjëra të ndara”, tha ai.

Përndryshe, kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Verona, Itali, së bashku me presidentin e Republikës së Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrin e Republikës të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Dimitar Kovaçevski, në kuadër të pjesëmarrjes së tre vendeve, themeluese të nismës së Ballkanit të Hapur, në panairin botëror të Verës “Vinitaly 2023”, në një prezantim të përbashkët në stendën “Wine vision by Open Balkan”.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025