Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se nuk duhet humbur kohë dhe energji por duhet ulur për të zgjidhur problemet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Rama ka thënë se e mbështet plotësisht Kosovën në kërkesën e saj për njohje por shtoi se kanë pikëpamje më ndryshe në mënyrën si të arrihet deri aty. Kryeministri i Shqipërisë, ka folur para gazetarëve derisa po qëndron në Slloveni në kuadër të Forumit Strategjik të Bledit.
I pyetur nëse ka një mospërputhje në rritje midis autoritetit të Shqipërisë dhe të Kosovës sa i takon marrëdhënies me Beogradin, Rama ka thënë se janë pro bashkëpunimit dhe ndërtimit hap pas hapi.Kryeministri i Shqipërisë edhe njëherë e ka përmendur padrejtësinë që po u bëhet qytetarëve të Kosovës me mos-liberalizimin e vizave.
“Nga ana tjetër sa i takon Serbisë dhe Kosovës, mendoj që ende është turp i madh që qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirisht pa viza, ndërkohë që e bënin këtë kur ishin nën një regjim barbar, ndaj çlirimtarët e tyre po i mbajnë peng dhe ky është një paradoks mjaft i rëndë dhe i turpshëm i kohëve tona. Sa i takon dialogut midis tyre, e kam fjalën midis Kosovës dhe Serbisë, jam i bindur siç kam qenë se nuk ka vlerë të humbasim kaq shumë kohë, kaq shumë energji, në vend që të ulemi e të zgjidhim problemet siç u ulën në fund të fundit”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë.
Rama do të jetë pjesë e panelit të liderëve që sivjet ka për temë diskutimi “Rregulli i pushtetit apo pushteti i sundimit. E ardhmja e BE dhe sistemi shumë palësh i marrëdhënieve ndërkombëtare”.
Forumit do t’i adresohet përmes video-lidhjes edhe presidenti i Ukrainës. Volodymyr Zelenskyy.