Vijimësia e “Ballkanit të Hapur” ka qenë mesazhi kryesor i pesë liderëve të Ballkanit Perëndimor. Në përfundim të samitit të Ohrit në Maqedoninë e Veriut, u theksua se “Ballkani i Hapur” nuk do të ndalet dhe se kush do t’i kundërvihet do të zhgënjehet. Nga ana tjetër, sërish iu bë thirrje Kosovës që t’i bashkohet “Ballkanit të Hapur”.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një konferencë të përbashkët për medie, tha se do të dëshironte të ishte edhe Kosova në “Ballkanin e Hapur”, por kushdo që ka hezitime vetëm do të humbë kohë për të përfituar nga kjo nismë.Vendosmërinë e kryeministrit Rama për “Ballkanin e Hapur” e vlerësoi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili tha se “Ballkani i Hapur” nuk do të mbijetonte pa fuqinë e kryeministrit shqiptar.
“Zotit Rama një falënderim të madh që çdo herë ka qenë i fuqishëm, se edhe kur kemi qenë në presion nga anë të ndryshme dhe kur është dashur të heqë dorë nga Open Ballkan, Edi Rama ka treguar fuqi të madhe të liderit, ka dëshmuar çka do të thotë përcaktim dhe vendosmëri diçka që ke filluar të vazhdosh ta bësh. Dhe si president i Serbisë ia kam borxh një falënderim të madh se pa përkushtimin e tij dhe pa energjinë dhe fuqinë e tij Ballkani i Hapur nuk do të mund të mbijetonte”, ka thënë ai.
“Këtë takim e vlerësojë pozitiv sepse për herë të parë, Mali i Zi, Bosnja Hercegovina dhe komuniteti ndërkombëtar të gjithë jemi në një vend në kuptim të ndërsjellë për ardhmërinë e Ballkanit Perëndimor. Nëse kuptohemi, nuk ka pse mos t’ia ndalim. Do t’ia dalim dhe do t’ia arrijmë. Ballkani Perëndimor të bëhet ‘Ballkan i Hapur’”, tha ai.
Ndërsa kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, apeloi që takimin e radhës të “Ballkanit të Hapur” të jetë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Samiti i sotëm i Ohrit, sipas kryetarit të Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tegeltija do të shërbejë që Bosnja të ndryshojë pozicion sa i përket “Ballkanit të Hapur”.
“Ende nuk është marrë një vendim politik. Pas takimit të sotëm dhe gjithçka që dëgjuam sot, pas firmosjes së këtyre marrëveshjeve, jam i sigurt që Bosnje Hercegovina patjetër të bëhet anëtare e plotë e këtij projekti. Do të bëj gjithçka që është e mundur që kamionët, maunat, mallrat në Bosnje Hercegovinë të mos qëndrojnë në vendkalime kufitare dhe të presin certifikata dhe kamionët e tjerë ndërkombëtare të kalojnë kufirin. Nuk jeni ju pra fajtorë që nëse kjo ndodh atëherë ne do të jemi fajtorë. Besoj që ata politikanë që duhet të marrin vendim në Bosnje Hercegovinë të jenë të vetëdijshëm për faktin që nuk kanë të drejtë t’u bëjnë këtë as transportuesve të tyre, as fermerëve, as tregtarëve”, tha ai.