Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni deklaroi se Ministria e Mbrojtjes nuk ka arritur të planifikojë përfundimin e kontratës së furnizimit me ushqim në mënyrë të duhur. Sipas tij, kjo ministri me kontraktorin e mëparshëm kishte lidhur kontratë urgjente mbi tri herë, ani pse Kosova nuk ka shpallur gjendje emergjente kombëtare. Në seancë të jashtëzakonshme ku po diskutohet për çështjen e ushqimit për FSK-në, Quni deklaroi se mungesa e transparencës në procesin e tenderimit dhe kontraktimi i kompanive të pa kualifikuara janë dështim flagrant e cenim i sigurisë kombëtare.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni deklaroi se Ministria e Mbrojtjes pa planifikim adekuat dhe pa ndjekur procedurat adekuate ka vendosur të aplikojë një procedurë të ngjashme ekstreme emergjente.
Sipas praktikave të vendeve anëtare të NATO-s, siç shtoi Çuni, procedurat e prokurimit e ushqimit për ushtrinë janë të hapura për publikun për të garantuar transparencë e konkurrencë.
Ai i ka bërë thirrje qeverisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes që të evitojë këtë qasje jo-transparente, meqë konsideroi se përfshin pasoja strategjike lidhur me aftësinë për të përmbushur detyrimet ndërkombëtare dhe për të mbrojtur sigurinë kombëtare.