Me rastin e ndarjes nga jeta të Ismail Kadaresë, akademik Rexhep Qosja ka ngushëlluar familjarët e kolosit të letërsisë shqiptare, teksa nuk ka hezituar të flasë edhe rreth raporteve të mëhershme që patën nxitur polemika.
Në një postim në Facebook, akademik Qosja ka thënë se Ismail Kadare do të mbetet personalitet madhështor historik i kombit shqiptar.
“Në letërsinë evropiane është bërë historike bindja e pranuar prej krijuesve më të shquar evropianë se ata që polemizojnë me njëri tjetrin ata polemizojnë sepse e nderojnë dhe e duan njëri tjetrin”, ka shkruar Qosja.
Ai ka edhe një porosi për “mospajtuesit që do ta kritikojnë Ismail Kadarenë me familjen që ishin larguar prej atdheut”.
Qosja ka thënë se emri dhe jetëshkrimi i Kadaresë janë të gjithmonshëm, pasi janë emër dhe jetëshkrim i pavdekshëm dhe historik.
“Krijimtaria e shumëllojshme e Ismail Kadaresë: proza letrare, shkrimet publicistike, trajtesat historiko letrare dhe kritike e eseistike. Të gjitha këto - emri Ismail Kadare, jetëshkrimi i tij, krijimtaria mendore, veprimtaria kulturore, shoqërore, etike dhe kombëtare në përgjithësi përbëjnë vlerën e madhe kulturore shqiptare. Në sajë të tyre Ismail Kadare në të përtashmen dhe në të gjithë të ardhmen do të jetë personalitet madhështor historik i Kombit Shqiptar, të cilit do t’ia dhurojnë ndjenjat e tyre, mendimet e tyre, përkushtimet e tyre të gjithë brezat e shqiptarëve pavarësisht ku do të jetojnë ata”, ka shkruar Qosja.
“Të hënën, më 1 korrik, u nda nga jeta intelektuali dhe krijuesi Ismail Kadare. U shpreh ngushëllimet më të thella bashkëshortes së tij shumë të nderuar e të dashur, shkrimtares Helena Kadare, bijave të tij Gresa dhe Besiana dhe të gjithë familjarëve të tjerë të familjes Kadare. Ismail Kadare dhe unë kohë pas kohe kemi shkruar për krijimtarinë e njëri tjetrit. Unë e kam propozuar përkthimin e romanit të tij Kështjella në gjuhën serbo-kroate dhe kam shkruar një parathënie shumë vlerësuese për romanin dhe krijuesin e tij Ismail Kadarenë. Ismail Kadare, ndërkaq, e ka shkruar parathënien për romanin tim ‘Vdekja më vjen prej syve të tillë’ të botuar në Paris. Familjarët e Ismail Kadaresë dhe të pikëlluarit e tjerë i ngushëlloj me besimin se ndarja e Ismail Kadaresë nga jeta është vetëm një ndarje trupore”, ka përfunduar Qosja.
Shkrimtari i madh Ismail Kadare ndërroi jetë sot në moshën 88-vjeçare në Tiranë.
Aktiviteti i tij më i rëndësishëm letrar, i zhvilluar në kohën kur Shqipëria ishte nën regjimin komunist, është konsideruar si një ecje në tehun e thikës. Vetë Kadare e ka përshkruar letërsinë si një mjet arratisje nga realiteti i mbyllur nga dhuna e diktaturës.
Në vitin 1990, ai kërkoi azil politik në Francë, një akt i cili do të përfaqësonte një goditje të fortë për regjimin që ishte në frymën e fundit, e që do të shembej pas Lëvizjes Studentore të dhjetorit të po atij viti.
Kadare ka qenë disa herë kandidat për çmimin Nobel për letërsinë, ndërkohë që janë të shumta vlerësimet prestigjioze ndërkombëtare për veprën e tij, si International Booker Man Prize, Prince of Asturias Award, Jerusalem Prize, Neustadt International Prize, Nonino, Park Kyong-ni.
Ndër veprat më të njohura të tij veçohen “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Pallati i ëndrrave”, “Prilli i thyer”, “Kronikë në gur”, “Dimri i vetmisë së madhe”, “Koncert në fund të dimrit”, “Përbindëshi.”