Qeveria në detyrë e Kosovës konsideron se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me deklaratën se Millan Radoiçiq nuk është kriminel, po inkurajon sulmet ndaj policëve të Kosovës.
“Deklarata e Vuçiqit tregon që ai e kontrollon sistemin e drejtësisë dhe që sulmet ndaj policëve të Kosovës nuk paraqesin krime për Serbinë dhe ato kësisoj inkurajohen nga vetë kreu i shtetit atje”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i ekzekutivit, Arlind Manxhuka, transmeton KosovaPress.
“S’keni thënë pse Millan Radoiçiq është në njoftim të kuq. Nuk është për shkak të krimit, por për shkak të Kosovës”, tha udhëheqësi serb.
Manxhuka tha se Qeveria në detyrë e Kosovës kërkon nga faktori ndërkombëtar që të dënojë “këtë degradim të mëtutjeshëm në sjellje të shtetit të Serbisë”.
“Deklarime të tilla dëshmojnë se Serbia nuk ka ndërruar mendje karshi Republikës së Kosovës dhe se kjo mendësi paraqet rrezik për paqen në rajon dhe më gjerë”, tha ai.
Kosova e konsideron sulmin në Banjskë si terrorist dhe e fajëson Serbinë për të. Por, Beogradi mohon çdo përfshirje.
Për këtë rast, më herët gjatë këtij viti nga Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi tre persona: dy prej tyre me burgim të përjetshëm dhe një me 30 vjet burgim.
Të akuzuarit e tjerë ndodhen në arrati dhe për ta Kosova ka lëshuar fletarrestime përmes Interpol-it. Kosova vazhdimisht kërkon që Serbia ta dorëzojë Radoiçiqin për t’u përballur me drejtësinë. Në kohën e sulmit në Banjskë, Radoiçiqi ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe e serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi.