Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin e ndryshuar për byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe Programin Kombëtar për Mbrojtjen Gjithëpërfshirëse.
Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e qeverisë të mërkurën, tha se projektligji për byronë është ndër më të rëndësishmit të ekzekutivit, derisa shtoi se pavarësisht tendencave për zvarritjen e jetësimit të këtij ligji i njëjti do bëhet si parandalim që kurrë më të mos keqpërdoret buxheti i shtetit dhe pozita zyrtare
E ndryshimet e projektligjit i paraqiti ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo tha se në Projektligjin e ri për byronë janë adresuar vetëm katër nenet që janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.
Në anën tjetër, kreu qeveritar duke folur për nevojën e miratimit të Programit Kombëtar për Mbrojtjen Gjithëpërfshirës, tha se i njëjti synon të ndërtojë qëndrueshmëri kombëtare në mënyrë që shoqëria të përgatitet të rezistojë, reagojë e të rimëkëmbet në raste të fatkeqësive natyrore a sulmeve të armatosura.
Sipas tij, ky program është mbështetur në shtatë shtylla: Funksionimin shtetëror në raste krizash, organizimin shtetëror për mbrojtjen e vendit, mbajtjen e funksioneve vitale dhe shërbimeve esenciale të shtetit, qëndrueshmërinë shtetërore, qëndrueshmërinë e furnizimeve shtetërore, mbrojtjen e hapësirës së informacionit dhe edukimin e të rinjve dhe të rejave.
Qeveria e Kosovës po ashtu e emëroi drejtor të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV) Bekim Hoxhën.