Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi zhvilloi sot takim me zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, me ç’rast diskutuan rreth mundësive për fuqizim të partneriteteve me institucione evropiane të arsimit të lartë.
Siç u bë e ditur në komunikatë, Qerimi dhe Wieland eksploruan mundësitë për zbatim të ideve për reformë në administratë publike, një çështje që u potencua si e rëndësisë së lartë dhe me shumë ndikim në zhvillimin e vendit.
“Ai falënderoi z. Wieland për bashkëpunimin e gjertanishëm me Kosovën dhe UP-në, ndërkaq theksoi gatishmërinë e universitetit për të iniciuar bashkëpunime konkrete me universitete evropiane.”, u bë e ditur në komunikatë.
Qerimi potencoi edhe dedikimin e Universitetit të Prishtinës për krijimin e kuadrove profesionale, të cilat do i shërbejnë vendit dhe jo vetëm, por njëherësh edhe punën që është duke u bërë në kuadër të institucionit, për të tërhequr studentë të rinj, duke krijuar shumë mundësi për shkëmbime, hapësira moderne dhe nivel cilësor të studimit.
Ata u pajtuan edhe për komunikim të mëtejshëm, për adresim të përbashkët të çështjeve me interes për vendin, e të rinjtë në veçanti.