Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka gjobitur sërish subjektin politik Koalicionin për Familjen në vlerë prej shtatë mijë euro. PZAP pas ka dhënë arsyetimin në vendim pas ankesës së Organizata Joqeveritare Dylberizim dhe Qendra për Barazi Gjinore.
“Subjekti politik Koalicioni për Familjen me seli në Prishtinë, për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, mbështetësit e tyre dhe kandidatët , i shqiptohet dënimi me gjobë në lartësi prej 7000 euro. Arsyetim, më datën 24 janar 2025, PZAP-i ka pranuar ankesën nga Organizata Joqeveritare Dylberizim dhe Qendra për Barazi Gjinore me seli në Prishtinë, në të cilën ka theksuar se në një reagim publik në rrjetin Facebook të datës 23.012025, kandidati për deputet nga subjekti politik Koalicioni për Familje, Eman Rrahmani në postimin e tij publik ka deklaruar se “Nuk ka martesa burrë me burrë, nuk ka martesa grua me grua. Kështu që kështu i mëson fëmijët tanë, trup ju qoftë”.
“PZAP-ja e ka shqiptuar sot gjobën e tretë ndaj Eman Rrahmanit, Laureta Rexha, Asdren Bytyqit, Jeton Haxhimustafa, Ferid Aganit, Fatmir Smajlit dhe Visar Korenica në vlerë prej 7.000 eurosh. Të trija gjobat vijnë si pasojë e ankesave të organizatave jo-qeveritare CEL Kosova dhe Dylberizm për nxitje të urrejtjes nga ky koalicion ndaj personave LGBTI+. Paraprakisht, Paneli shqiptoi gjobë me vlerë 5.000 euro më 25 janar, ndërsa më 22 janar sanksionoi Koalicionin e udhëhequr nga Eman Rrahmani me 4.500 euro”, thuhet në reagim.
Po ashtu sipas kësaj organizate, “Në vendimin e nxjerrë sot, me datë 28.01.2025, me panelin e përbërë nga gjyqtarët: Violeta Husaj Rugova kryesuese, Kujtim Pasuli dhe Ramush Bardiqi anëtarë, konstatohet se:“...gjuha e përdorur nga subjektit politik Koalicioni për Familjen, përkatësisht, nga kandidatët për deputet të këtij subjekti, ndaj LGBTI+ në rrjetin social Facebook, është në kundërshtim me Kodin e Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët, përkatësisht, me dispozitat e nenit 34 paragrafi 1, pika 1.11, të L.ZP-së, ku janë të përcaktuara veprimet e ndaluara të subjekteve politike. Në këtë rast është marrë për baze konteksti dhe qëllimi për të cilin është përdorur gjuha ndaj një komuniteti, faktin qe deklaratat janë publikuar ne rrjetin social Facebook, prandaj sipas Panelit, përdorimi i gjuhës së tillë ka për qëllim ofendimin, denigrimin dhe njëherit shihen si shprehje me ngjyrime përçmuese ose nënvlerësuese.”