Kryeministri i Sllovakisë Robert Fico ka arritur sonte për vizitë të papritur në Moskë, ku ka zhvilluar takim ‘kokë më kokë’ me liderin Vladimir Putin, si pjesë e një përpjekjeje për të siguruar qasje të vazhdueshme në gazin e lirë rus pas skadimit të marrëveshjes me Ukrainën në fund të këtij viti.
Vizita në Moskë nuk u njoftua paraprakisht nga qeveria sllovake dhe vendimi i kryeministrit sllovak për bisedime tregtare do të rezultojë i diskutueshëm midis liderëve të tjerë të BE-së dhe sfidon angazhimet publike të bllokut për t'i dhënë fund varësisë nga gazi rus.
Sllovakia dhe Hungaria kërkojnë një marrëveshje për të shmangur ndërprerjen e gazit rus pas skadimit të marrëveshjes kryesore për transit në Ukrainë në fund të këtij viti.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka përjashtuar mundësinë e zgjatjes së një marrëveshjeje me Gazprom që i lejon të eksportojë gaz përmes rrjetit të tubacioneve të vendit në Sllovaki, Hungari dhe vende të tjera të Evropës Qendrore. Putin ka thënë më parë se pret që kontrata të përfundojë.Një këshilltar i lartë i Zelensky tha për Politico se Kievi vlerëson se Sllovakia fiton rreth gjysmë miliard dollarë në vit nga qasja në gazin rus me zbritje.
Qe nga agresioni ushtarak rus në Ukrainë në shkurt 2022, vetëm dy krerë të tjerë qeverish të BE-së kanë vizituar Putin – kancelari austriak Karl Nehammer dhe kryeministri hungarez Viktor Orban.
Në shkurt 2024, Fico tha se "Perëndimi nuk është në gjendje të pranojë se strategjia e tij për ta përdorur luftën në Ukrainë për shkatërrimin e Rusisë ka qenë e pasuksesshme".