Në prag të përfundimit të fazës së parë të punimeve të kanalit kullues të tokave bujqësore në Shtime, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci bashkë me kryetarin e kësaj komune, Qemajl Aliu u zotuan se në vitin e ardhshëm do të vazhdojë faza tjetër e punimeve për të shkuar drejt finalizimit.
Ky projekt në vlerë mbi 330 mijë euro i financuar nga MBPZHR parashihet të parandalojë përmbytjen e mbi 200 hektarëve tokë bujqësore si dhe të ketë benefite të tjera për banorët e fshatit Godanc i Epërm dhe fshatrave të tjera të kësaj pjese.
Peci premtoi se pas përfundimit të fazë së parë do të ndajë mjete për vazhdimin e fazave të tjera deri në përfundimin e këtij projekti.
Aliu tha se përveç bujqve, ndërtimit të këtij kanali kullues me investim prej 336 mijë eurove, iu janë gëzuar edhe banorët e fshatit Godanc të Epërm, pasi sipas tij këta të fundit kishin hallin me kundërmimin.
“Një nga projektet më të mirëpritura nga të gjithë banorët e komunës së Shtimes. Është faza e parë e një projekti, është financuar direkt nga ministria që ju e udhëhiqni. Është një kanal kullues diku rreth dy kilometra që shuma totale e kësaj faze është diku 336 mijë euro dhe përmes këtij kanali shpëtohen pa u përmbytur diku mbi 215 hektarë tokë bujqësore. Kjo është mirëprit jo vetëm nga bujqit për shkak të përmbytjes të tokave bujqësore por edhe e kanë mirëpritur banorët e fshatit Godanc i Epërm ku jemi këtu sepse ky kanal përveç që ka përmbytur, gjatë stinës së verës ka kundërmuar nga ajo toka moçalike që është krijuar për shkak të përmbytjeve. Po shpresojmë që fazat tjera do ta përshkojnë komplet këtë pjesë të Komunës së Shtimes”, tha Aliu.