Punëtorët e “Prishtina Parking” protestojnë sërish, paralajmërojnë grevë
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 5 min.
Dëgjoje me zë...
Punëtorët e “Prishtina Parking” protestojnë sërish, paralajmërojnë grevë
Parking12345
25/03/2026 - 16:34
Linku u kopjua

Punëtorët e ndërmarrjes publike “Prishtina Parking” kanë protestuar për herë të tretë për të kërkuar përmirësim të kushteve të punës. Rritja e pagës, pagesa e shujtës dhe pagesa e sigurimit shëndetësor janë tri kërkesat kryesore që këta punëtorë kërkojnë nga ndërmarrja dhe Komuna e Prishtinës. Nëse nuk plotësohen këto kërkesa, ata po paralajmërojmë grevë te përgjithshme.

Anëtari i kryesisë së punëtorëve të “Prishtina Parking”, Safet Zuka tha se kjo është protesta e tretë, por që nuk janë ftuar në asnjë takim.

“Deri në këtë moment, nuk ka pasur asnjë lëvizje konkrete drejt arritjes së ndonjë marrëveshjeje për përmbushjen e kërkesave tona legjitime. Ne, punëtorët e ndërmarrjes, mbetemi të palëkundur në qëndrimet tona, përkundër kërkesave tona dhe refuzimit të tyre, që nga fillimi i grevës e deri më tani, nuk jemi ftuar në asnjë takim dhe nuk na është ofruar asnjë alternativë për tejkalimin e gjendjes së krijuar. Me pak fjalë, nuk ka pasur asnjë reflektim nga pala tjetër. Kjo situatë është e papranueshme dhe na detyron të vazhdojmë protestën, por tashmë në forma të tjera. Fillimisht, do të angazhojmë një ndërmjetësues ligjor për të negociuar kërkesat tona. Nëse nuk arrihet një zgjidhje, do të fillojmë me bojkot në vendin e punës. Nëse as kjo masë nuk sjell reflektim, do të detyrohemi të hyjmë në grevë të përgjithshme – ndonëse kjo është një masë që nuk e dëshirojmë”, deklaroi ai.

Tutje, ai shtoi se i kanë dërguar dy kërkesa në adresë kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama por që nuk kanë marrë përgjigje.

“Jemi në pritje të një përgjigjeje nga kryetari Rama, i cili sipas detyrimit të tij kushtetues duhet të takohet me qytetarët e tij për t’i dëgjuar shqetësimet e tyre. Për këtë qëllim i kemi dërguar dy emaila zyrtare. Tani do i paraqesim kërkesat tona: rritja e pagës mujore si kusht i domosdoshëm për vazhdimin e punës, pagesa e shujtës, pagesa e sigurimit shëndetësor, shlyerja e borxhit për muajin gusht, kjo është një gjysmë rroge që na i kanë qit atëherë dhe pagesa e kontributit të sindikatës”, shtoi ai.

Edhe kryetari i sindikatës së “Prishtina Parking”, Flamur Hajdari tha se protesta e tyre do të vazhdojë, madje nëse nuk ka reflektim do të hyjnë në grevë.

“Sot jemi mbledhur këtu, kjo është protesta e tretë që e kemi bërë, është java e tretë. Po shpresojmë që kjo të jetë e fundit. Do të hyjmë me një ndërmjetësim dhe, nëse edhe aty nuk ka rezultat, do të fillojmë me grevë. Qëllimi ynë është për kërkesat që i kemi adresuar: rritja e pagës dhe shujta, të cilat janë gjërat më kryesore që ne i kërkojmë tani për tani. Po shpresojmë që do të bëjmë diçka...06:46 Për momentin kushtet janë shumë të vështira. Jo pak, po goxha më të vështira”, u shpreh ai.

Kjo protestë sot ka marrë mbështetjen edhe të sindikatës së KEK-ut dhe KOSTT.

Lexo po ashtu
Parashikimi i motit
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica tha se po bëhet “krim ekonomik”


“Nuk e di ku ka më krim ekonomik se sa me ja ndal paret punëtorit për anëtarësi të sindikatës, e mos me ja qit në llogari të sindikatës. Kjo është vjedhje, kjo është krim dhe nga këtu i ftoj Prokurorinë e Shtetit të merren me këtë çështje, qysh ka mundësi me ju ndal paret anëtarëve të sindikatës e mos me ju qit në llogari të sindikatës. Kjo tregon tendencën e qartë se këta kanë tendencë që ta shuajnë zërin sindikal”, tha ai.  

Punëtorët e sindikatës së “Prishtina Parking” morrën mbështetje edhe nga kryetari i Sindikatës së Pavarur të.KOSTT, Arben Pllana.

“Mbështetja jonë është që t’i përkrahim çdo sindikatë, pa marrë parasysh edhe këtë sindikatë të ‘Prishtina Parking’ që t’u paguhet shujta, anëtarësia, sigurimi shëndetësor dhe të gjitha benefitet e tjera që u takojnë si punëtorë të një ndërmarrje publike ose si punëtorë, pa marrë parasysh”, përfundoi ai.

Në këtë protestë kanë marrë pjesë me dhjetëra punëtorë të ndërmarrjes publike “Prishtina Parking”. /Sh.Pajaziti


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026