Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK) ka shprehur shqetësime për aspektin e sigurisë, drejtësisë, por edhe ekonomisë në vend. Kjo parti kërkon nga Qeveria e Kosovës që të shfrytëzojë mobilizimin e fortë të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian për të arritur një marrëveshje me Serbinë.
Kryetari i PSHDK-së, Zef Morina, në një konferencë për medie ka ngritur shqetësimet edhe për situatën e krijuar mbrëmë në zyrat e KQZ-së në veri të vendit.
Morina tha se Qeveria e Kosovës me jo pak dëme hoqi dorë nga vendimi për targat.
“Kosova tashmë ka hyrë në një fazë të rëndësishme të përmbylljes së shtet-ndërtimit. Kompleksiteti i kësaj faze dhe zhvillimet që e presin vendin tonë javët dhe muajt në vijim kërkojnë përqendrim maksimal të Qeverisë dhe institucioneve të vendit në çdo hap. PSHDK rithekson urgjencën e dialogut me Serbinë për arritjen e një marrëveshje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse… Qeveria e Kosovës me jo pak dëme hoqi dorë nga vendi i saj i papjekur dhe i pamenduar për targat. Më mirë vonë sesa kurrë, këmbëngulja joracionale e kryeministrit, Kurti dhe presidentes Osmani, pa i llogaritur pasojat në terren ka krijuar një situatë eksplozive në veri të vendit krejtësisht pa nevojë. Veriut i vendit sot është de-fakto jashtë kontrollit të institucioneve qendrore të vendit... Grupet kriminale në veri të vendit, të nxitura nga politika e Beogradit, po mundohen me çdo kusht të destabilizojnë vendin, siç ishte rasti i ndodhur dje pranë zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ). Ky është një sinjal që institucionet e vendit duhet të jenë të koordinuara ngushtë me SHBA dhe BE për të zgjidhur problemin me Serbinë, e cila me çdo kusht po mundohet ta destabilizojë Kosovën”, tha Morina.
Ai thekson nevojën që angazhimi i SHBA-së dhe vendeve të BE-së të shfrytëzohet për arritjen e marrëveshjes me Serbinë.
“Duke qenë të vetëdijshëm për këto rrethana të reja dhe duke parë një mobilizim të fortë amerikan e evropian për marrëveshje të shpejt Kosovë-Serbi, ne në PSHDK ritheksojmë se Kosova dhe qeveria e saj duhet ta kuptojë thellësinë e seriozitetit dhe urgjencës së arritjes së marrëveshjes me Serbinë në kuadër të dialogut e cila medoemos duhet të mbyllet me njohje të ndërsjellë. Kjo mund të arrihet vetëm duke koordinuar dhe harmonizuar me urtësi çdo hap me SHBA dhe BE-në. Angazhimi i shtuar dhe shumë i koordinuar sidomos nga SHBA, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Italia muajve të fundit duhet të shfrytëzohet nga Qeveria e Kosovës si një mundësi e madhe për arritjen e një marrëveshje me Serbinë”, u shpreh ai.
Sipas tij, sistemi i drejtësisë është në gjendje alarmante, ndërsa ka kritikuar presidentja Vjosa Osmani për çështjen e Kryeprokurorit të Shtetit.
“Qeveria Kurti ua zbriti pagat prokurorëve dhe gjyqtarëve në mënyrë arbitrare dhe në kundërshtim me çdo logjikë elementare që angazhohet për rend dhe ligj. Në anën tjetër, Kosova tash e një kohë të gjatë është pa kryeprokuror. Domethënë gjendjen në institucionet e pavarura të drejtësisë e kemi alarmante”, deklaroi kreu i PSHDK-së.