Sot në Ferizaj u mbajt një protestë gjithëpopullore me moton “Liri për çlirimtarin”, në mbështetje të bashkëluftëtarit nga Ferizaj, Blerim Ramadani, i arrestuar javën e kaluar nga Maqedonia e Veriut bazuar në një fletarrest të lëshuar nga Serbia për kinse krime lufte.
Protestuesit kërkuan lirimin e luftëtarit të lirisë, veteranit të UÇK-së nga Ferizaj, Blerim Ramadani, i cili po mbahet padrejtësisht në paraburgim.
Protesta është organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare, dega në Ferizaj së bashku me familjarë të dëshmorëve të kombit, invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deputetë, ish-eprorë të lartë të UÇK-së dhe qytetarë.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Shkup ka caktuar masën 30-ditore e paraburgimit ndaj Blerim Ramadanit, i cili u ndalua më 17 korrik në pikëkalimin kufitar Jazhincë, bazuar në një fletarrest të lëshuar nga Gjykata e Beogradit, përmes Interpol Serbia, për kinse krime lufte në verën e vitit 1999 në rajonin e Nerodimës.