Banorët e fshatit Bellanicë dhe fshatrave përreth të Malishevës kanë organizuar sot një protestë paqësore para Prokurorisë Speciale të Kosovës për të kërkuar drejtësi rreth çështjes së privatizimit të pronave në Dubravë dhe OPB “Mirusha”.
Kryetari i Këshillit për kthimin e pronave në Dubravë, Hazir Hoxha tha për KosovaPress se ky problem është duke zgjatur qe 13 vjet. Ai ka zbuluar emrat e personave që sipas tij kanë marrë pronat e tyre private pa leje.
Motoja e protestës së banorëve të Bellanicës ishte “Në asnjë mënyrë nuk do ta lejojmë që fëmijët tanë të jenë rrogëtarë të shefave të krimit në pronat e tyre. Nuk kemi nevojë për mëshirë. Duam vetëm drejtësi!”
Ndryshe, banorët e Bellanicës kanë problem me tokat që pretendohet se dikur kanë qenë të tyre. Bëhet fjalë për 375 hektarë tokë. Këto prona janë të ndërmarrjes shoqërore “Mirusha” e që banorët thonë se në vitin 1958 pushteti i atëhershëm ua mori me dhunë. Zanafilla e krejt kësaj buron që nga 1958, për të vazhduar me dekada të tëra. /A. Shala/