Para se të zgjerohet në më shumë se 30 vende anëtare, Bashkimi Evropian duhet të bëjë disa reforma, në mënyrë që të jetë funksional. Zgjerimi i BE-së, në njërën anë, dhe thellimi i integrimeve brenda unionit, duhet të shkojnë paralelisht. Këto janë porositë kryesore të një raporti franko-gjerman për reformat e BE-së para se ajo të zgjerohet.
Raporti, tekstin e të cilit e ka siguruar REL, i porositur nga qeveritë e këtyre dy vendeve kryesore të BE-së, është përpiluar nga 12 ekspertë të pavarur dhe nuk paraqet qëndrimet zyrtare të këtyre dy shteteve. Por, ky raport do të shërbejë për debatin që pritet të zhvillohet ndërmjet vendeve anëtare të BE-së dhe institucioneve të bllokut për reformat e nevojshme, transmeton KosovaPress.
Mirëpo, në fund, vendimi për pranimin e një shteti të ri anëtar do të mbetej vendim që duhet të miratohet me unanimitet nga të gjitha vendet ekzistuese anëtare.
Në këtë raport mbështetet ideja që BE-ja dhe vendet anëtare të bëhen gati për zgjerim deri në vitin 2030, ide që para disa javësh e kishte përmendur edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michell. Vendet kandidate do të duhej deri atëherë të punojnë për t’i përmbushur kriteret e nevojshme.
Po ashtu, propozohet që rundet e zgjerimit të ndahen në grupe të shteteve. Për t’u bërë gati, sipas këtij raporti, BE-ja do të duhet të vendosë nëntë parime, sipas së cilave do të drejtohej strategjia e ardhshme e zgjerimit. Këto parime do të ndaheshin në dy pika.
Pika e parë do të ishte “kualifikimi për anëtarësim në BE”, që ka të bëjë me përgatitjen e vendeve anëtare dhe pika e dytë - “dinamika e procedurave të anëtarësimit”, që nënkupton përgatitjen e institucioneve të BE-së.
Në çështjet që kanë të bëjnë me dinamikën e anëtarësimit, propozimi përmend pikat kyçe: barazinë, sistematizimin, reverzibilitetin (mundësi kthimi) dhe votimin me shumicë të kualifikuar.
Disa parime që ka në këtë moment BE-ja, si për shembull votimin me unanimitet dhe parimin që secili shtet të ketë një anëtar të Komisionit Evropian, nuk do të mund të mbaheshin në të ardhmen dhe, sipas këtij raporti, do të duhej ndryshuar.
Zgjerimi i fundit i BE-së ka ndodhur me 1 korrik të vitit 2013 kur Kroacia ishte bërë vendi më i ri anëtarë.
Zvogëlimi i Komisionit Evropian në më pak anëtarë sesa që BE-ja ka vende anëtare ka qenë synim edhe nga e kaluara. Por, kjo nuk ka mundur të ndodhë pasi shumë vende anëtare e kanë kundërshtuar. Sidomos vendet më të vogla të BE-së kanë insistuar që secili shtet të ketë një anëtar të Komisionit Evropian, duke thënë se në këtë mënyrë sigurohet barazia e tyre, pa marrë parasysh madhësinë.
Gjithashtu propozohen ndryshime edhe në miratimin e buxhetit të përbashkët të Bashkimit Evropian,në atë mënyrë që BE-ja ta mbushë buxhetin edhe me resurse të veta, pa kërkuar nga vendet anëtare, përmes taksave të ndryshme.
Ndërsa korniza shumëvjeçare financiare do të miratohej çdo pesë vjet, sa edhe zgjat mandati i Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian e jo siç është tash çdo shtatë vjet.
Krerët e Ballkanit Perëndimor dhe liderët e BE-së duke shikuar një performancë pas fotografisë familjare të bërë në samitin BE-Ballkani Perëndimor. Tiranë, 6 dhjetor 2022.
Sipas propozimit, brenda BE-së do të ketë një “rreth të brendshëm“ të vendeve që do të thellonin integrimin mes tyre. Pas këtij rrethi, do të vinte e tërë BE-ja, pra të gjitha vendet anëtare.
Thirrjet për reforma në BE, si kusht për t’u zgjeruar, janë përsëritur shumë gjatë muajve të fundit. Por, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se, nëse kërkohen ndryshime në Traktatin e BE-së, atëherë zgjerimi i bllokut nuk duhet të presë derisa të bëhen ndryshimet, por të bëhet më shpejt.
Në anën tjetër, janë vendet si Franca që insistojnë se BE-ja me kornizën e tashme ligjore dhe procedurën e miratimit të vendimeve që ka në fuqi, nuk do të mund të funksiononte si duhet nëse zgjerohet tutje pa u reformuar nga brenda.