Pronarët e Interit, Suning Group, do të duhet t'i paguajnë Premier Ligës një pagesë prej 157 milionë funte pas një çështjeje gjyqësore në lidhje me të drejtat televizive.
Suning, përmes platformës së saj televizive PPTV kishin rënë dakord për një marrëveshje trevjeçare për të transmetuar të gjitha 380 ndeshjet e Premier Ligës në Kinë nga viti 2019 deri në 2022, marrëveshje kjo e arritur në vitin 2016. Ata paguanin në atë kohë 12 herë më shumë se transmetuesit e mëparshëm të të drejtave televizive “Super Sports Media”.
Suning janë përballur me probleme të mëdha financiare gjatë gjithë pandemisë COVID-19 dhe në mars të vitit 2021 ata e shpallën të falimentuar ekipin e tyre të Superligës Kineze Jiangsu FC. Verën e kaluar ata shitën edhe yjet e Interit Romelu Lukaku dhe Achraf Hakimi për të balancuar librat e tyre financiar.
Konglomerati kinez ka qenë në bisedime për shitjen edhe të Interit në muajt e fundit, por ende nuk është bërë ndonjë përparim i rëndësishëm në këtë drejtim. Kompania njoftoi së fundmi se problemi i borxheve është stabilizuar gradualisht, duke sugjeruar se ata mund të jenë në gjendje të paguajnë pagesën ndaj Premier Ligës.