Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë se vazhdimi i paraburgimit të Salih Mustafës mbetet i nevojshëm dhe proporcional.
Në parashtresën e saj, ZPS ka thënë se vazhdimi i paraburgimit është mënyra e vetme për të menaxhuar rreziqet e paraqitura nga i akuzuari.
Për Mustafën, i cili është në pritje të aktgjykimit, ZPS ka konsideruar se mund të pengojë ecurinë e procedurës duke përfshirë procedurat mundshme të apelit apo ndërhyrë në dëshmitarë apo familjet e tyre.
“Në përputhje me parashtresat e saj të mëparshme, ZPS-ja pohon se rreziku i arratisjes është real, vazhdimisht i lartë, dhe rritet më tej me përfundimin e procedurave dhe me vendimin e ardhshëm. Duke qenë tashmë plotësisht i vetëdijshëm për provat fajësuese të grumbulluara kundër tij, i Akuzuari, nëse lirohet dhe dënohet, mund të përpiqet të fshihet për të shmangur dënimin. Kjo është veçanërisht e vlefshme duke pasur parasysh ekspertizën e inteligjencës, kontaktet e të Akuzuarit, dhe ekzistencën e një rrjeti mbështetës që përfshin, ndër të tjera, veteranët e luftës së Kosovës”, thuhet në shkresë.
Mbrojtja e Salih Mustafës ka kërkuar që ai të shpallet i pafajshëm për të gjitha akuzat që prokuroria ka ngritur kundër tij, ndërsa kjo e fundit i ka kërkuar trupit gjykues që Salih Mustafën ta dënojë me 35 vjet burgim.
Në këtë proces gjyqësor janë dëgjuar 13 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, shumë prej të cilëve të mbrojtur dhe në seanca të mbyllura apo të redaktuara.
Në fillim të këtij procesi Salih Mustafa, ndaj të cilët rëndojnë akuza me pretendimin për krime lufte, ishte deklaruar i pafajshëm para trupit gjykues.
Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.