Prokuroi i Shtetit dhe Policia e Kosovës bëjnë të ditur se kanë pranuar informacione se disa qytetarë, kryesisht nga diaspora, gjatë procesit të votimit me postë kanë fotografuar dhe incizuar votën e tyre dhe të njëjtën e kanë postuar nëpër rrjete sociale.
Ndërsa, pas pranimit të këtyre informatave Prokurori i Shtetit së bashku me Policinë e Kosovës kanë identifikuar disa persona, të cilët kanë kryer veprime të tilla dhe janë në proces të verifikimit dhe trajtimit të të gjitha postimeve eventuale.
Po ashtu, Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës fton qytetarët, të cilët e shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit, të jenë të kujdesshëm që vota e tyre në asnjë formë të mos bëhet publike.
Këto u bënë të ditura në takimin që zhvilloi Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, e shoqëruar nga menaxheri i projektit strategjik “Mbrojtja e votës”, Besim Kusari me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti, i shoqëruar nga kolonelë Florie Hajra nga Departamenti i hetimeve nga Policia e Kosovës dhe nga drejtori i departamentit të rendit Publik në Policinë e Kosovës nënkolonel Arbnesh Ajvazi.Ndër të tjerash, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, informoi se tashmë janë të caktuar ekipet kujdestare nga prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në këto zgjedhje.
Nga ana tjetër edhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti theksoi se edhe Policia e Kosovës ka caktuar ekipet kujdestare policore, të cilët do të kujdesen të ofrojnë siguri dhe mbarëvajtje të procesit zgjedhor.