Në fillimin e gjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prokurorët e Zyrës së Specializuar në Hagë, në deklaratën hyrëse kanë shpalosur disa nga provat për veprat me të cilat ngarkohen ish-drejtuesit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Prokurori i Specializuar, Matthew Holling, është shprehur se të akuzuarit mbanin poste që u bënin të mundur që të zbatonin dhe të vinin në jetë siç pretendon qëllimin kriminal të përbashkët dhe të ushtronin kontroll efektiv.
Në vazhdim të deklaratës hyrëse të ZPS-së, u paraqiten me harta zonat operative, duke u ndalur te baza e shtabit të përgjithshëm.
Prokurori Matthew Halling ka thënë se këto zona ishin: Zona e Drenicës, Pashtrikut, Dukagjinit, Llapit, Nerodimes dhe Karadakut.
Prokurori i Specializuar Matthew Halling tha po ashtu se Jakup Krasniqi merrej me komunikatat dhe ndihmohej nga Hashim Thaçi.
Sipas tij, gjatë intervistimit në Hagë nga prokurorët e specializuar, Rexhep Selimi, ka konfirmuar postet që katër të akuzuarit kanë pasur gjatë luftës në Kosovë.
Kryetari i hetuesve në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Ward Ferdinandusse paraqiti disa komunikata të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së.
Ferdinandusse trajtoi edhe komunikatën 59, për të cilën më pas Hashim Thaçi kishte deklaruar se nuk e kishte lëshuar shtabi i përgjithshëm i UÇK-së.
Prokurori i Speciales, Alan Tieger foli edhe për një delegacion humanitar në fshati Çirez, të cilët pretendon se u keqtrajtuan.
Prokurori i ZPS-së thotë se kanë prova që në mes prillit 98 dhe gusht 99, anëtarë të UÇK-së, kanë hequr lirinë qindra individëve pa proces të rregullt ligjor.
Ish-krerët e UÇK-së ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Në sallën e gjyqit ku mbahej seanca gjyqësore të pranishëm ishin edhe ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët edhe njëherë u deklaruan të pafajshëm për veprat që ngarkohen.