Kreu i KQZ-së në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, derisa ka informuar në lidhje me ecurinë e procesit zgjedhor në Tiranë, ka bërë të ditur se kanë zhbllokuar problematikën me pajisjet e identifikimit duke urdhëruar regjistrimin manual në të gjitha qendrat e votimit që kanë probleme gjatë identifikimit të votuesve.
Celibashi tha se kjo në mënyrë që mos të pengohet procesi i votimit, raporton KosovaPress.
Ai ka treguar edhe për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në qendrat e votimit.
“Në momentin që ne flasim janë 4464 qendra votimi të cilat funksionojnë normalisht në kuptim të pajisjes elektronike të identifikimit. Pra, në 4 mijë e 464 qendra votimi procesi identifikimit të votuesve po bëhet nëpërmjet pajisjes elektronike të identifikimit. Janë 206 qendra votimi të cilat sipas informacionit që marrim nëpërmjet sistemit, na tregojnë se pajisja është e konfiguruar por nuk mund të marrim automatikisht informacion prej tyre. Ndërkohë janë 533 qendra votimi për të cilat ne nuk kemi informacione që do të thotë që pajisja nuk funksionon, funksionon pjesërisht ose plotësisht por nuk kemi këtë të dhënë nëpërmjet sistemit. Janë 532 tani se informacioni përditësohet në kohë reale, për të cilat supozohet në rastin më të keq që identifikimi të mos bëhet përmes pajisjes elektronike të identifikimit”, tha ai.