Sot mbushen 23 vjet nga tërheqja e forcave kriminale ushtarake serbe nga Kosova, duke shënuar kështu fundin e pushtimit serbë.
Për nder të ditës së çlirimit të Prishtinës, është mbajtur seanca solemne në Komunën e Prishtinës, ku edhe është shpallur qytetar nderi gazetari britanik, Vaughan Smith.
“Sot 23-vite më parë Prishtinës ju kthye shpresa, iu kthye shpërblimi i brezave dhe i sakrificave shumëvjeçare për të drejtën më të shtrenjtë, lirinë. Në kujtesën tonë kjo ditë ende mbetet e shenjtë, sepse mijëra fëmijë, gra e burra, mijëra familje kosovare sakrifikuan jetën për ëndrrën tonë të përbashkët. Falë tyre sot atë ëndërr e gëzojmë si realitet të lirë në vendin tonë... Shumëçka ka ndryshuar për të mirë prej atëherë, por rruga është ende e gjatë. Në këtë kapitull të ri është tash radha jonë ta nderojmë veprën e tyre që u sakrifikuan për liri dhe jo vetëm me fjalë por me punë konkrete. Jemi në ata që tashmë kemi shumë punë për të bërë, punë që duhet e duket e të preket në jetët tona të përditshme... Le ta kujtojmë 11 Qershorin me premtimin se misioni ynë është të punojmë për brezat që po vinë, për hirë të sakrificës së tyre që sot nuk janë më në mesin tonë”, u shpreh Rama.
Ndërkaq, kryesuesi i Kuvendit, Fehmi Kupina gjatë një fjalimi të mbajtur ka kujtuar rëndësinë e kësaj dite. Ai ka thënë se të gjithë e kanë obligim të punojnë ndershëm për të mirën e qytetarëve.
Përfaqësuesi i shoqatave të dalura nga lufta të UÇK-së, Fatmir Sopi uroi të gjithë qytetarët për këtë ditë, ndërsa ka shtuar se shteti duhet ta ketë vullnetin të merret me secilin që ka kontribuar për këtë liri që e gëzojmë sot. Ai po ashtu ka përmendur edhe udhëheqësit e UÇK-së, duke thënë që gjenden padrejtësisht në Hagë.
“I gjithë suksesi i kësaj lufte i dedikohet popullit tonë liridashës, ndërsa më meritoret janë dëshmoret e martiret tanë që dhanë jetën për liri, por jo më pak meritor janë invalidët dhe veteranet e luftës të UÇK-së, të cilët sakrifikuan shumë dhe nuk kursyen asgjë për lirinë e vendit. Ndërsa shteti ynë i ndërtuar mbi sakrificën e tyre dhe gjakun e tyre, ende nuk ka vullnetin që të merret me hallet e tyre të shumta dhe të ju japë vendin e merituar në shoqëri. Ata po detyrohen që hallet e tyre t’i shprehin përmes protestave e cila nuk është dashur të ndodhë pas 23-viteve liri. Po ashtu jemi dëshmitar të mbajtjeve të proceseve gjyqësore ndaj udhëheqësve të UÇK-së të porositura e të paguara nga Serbia e Rusia. Tani në Hagë padrejtësisht ndodhen udhëheqësit kryesor të UÇK-së, në vend se atje të jenë kriminelet serb te cilët vranë, masakruan, dhunuan dhe e dogjën Kosovën. Në një proces të tillë gjyqësor gjendet edhe njëri nga protagonistet kryesor të çlirimit të Prishtinës, bashkëluftëtari ynë Salih Mustafa, i cili po përballet me akuza dhe dëshmi të rrejshme”, tha ai.