Prishtina përgatitet për ditën e votimit, komisionerët shpërndajnë materialet jo-sensitive
Lajme
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Prishtina përgatitet për ditën e votimit, komisionerët shpërndajnë materialet jo-sensitive
prishtina foto
06/06/2026 - 16:53
Linku u kopjua

Qytetet e Kosovës ku të dielën, më 7 qershor, do të mbahen votimet kanë nisur përgatitjet për procesin zgjedhor. Kabinat e votimit, posterët informues, dhe materialet e tjera logjistike që nuk ndikojnë drejtëpërdrejt në rezultatin zgjedhor janë shpërndarë gjatë ditës në të gjitha qendrat e votimeve në Kosovë, raporton KosovaPress.

Komisionerët e qendrave të votimit në Prishtinë, gjatë së shtunës, i kanë tërhequr këto materiale nga Salla “1 Tetori” dhe kanë nisur përgatitjet e vendvotimeve në të gjithë komunën.

Ndërsa materialet sensitive, përfshirë fletëvotimet, listat e votuesve, vulat zyrtare dhe procesverbalet, do të dërgohen në orët e para të mëngjesit nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Zyrtarja ekzekutive e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Prishtinë, Fatmire Bajrami, tha se procesi i shpërndarjes së materialeve jo-sensitive po zhvillohet sipas planifikimeve dhe se gjithçka është gati për hapjen e vendvotimeve.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve që më parë kanë votuar në shkollën “Shtjefën Gjeçovi” të drejtohen në objektin e ri. Sipas Bajramit, ata votues në këtë proces zgjedhor do të votojnë në ish-shkollën "Xhevdet Doda"

“Këtu në sallën 1 Tetori është duke u shpërndarë materiali josensitiv. Prishtina ka 55 qendra të votimit, 54 qendra të votimit janë të rregullta, ndërsa Fakulteti i Edukimit është qendër e votimit me kusht. Në kuadër të këtyre qendrave të votimit kemi bërë vetëm një ndryshim të objektit të shkollës apo të qendrës së votimit, nga shkolla "Shtjefën Gjeçovi" që deri tash është e njohur me qendrën e votimit 1905, ka kaluar, e kemi transferuar në shkollën "Xhevdet Doda" në sheshin "Bill Clinton””, tha Bajrami.

Sipas Bajramit, materialet sensitive do të shpërndahen gjatë së dielës që nga ora 03:30 e mëngjesit, fillimisht në zonat rurale, ndërsa më pas në pjesën urbane të kryeqytetit në përcjellje të Policisë së Kosovës.

“Nesër në orët e hershme të mëngjesit, në prani të policisë, për çdo qendër të votimit shpërndahet materiali sensitiv. Fillojmë në fshatrat më të larta prej orës 3:30 mandej duke vazhduar në pjesën urbane nga ora 4:00. Prishtina i ka 262 vendvotime. Për secilin vendvotim materiali është i gatshëm, është i gatshëm materiali sensitiv edhe jo sensitiv. E përmenda më herët se materiali jo sensitiv tani është duke u shpërndarë”, theksoi ajo.

KosovaPress ka përcjellë nga afër përgatitjet në shkollën “Mitrush Kuteli” në Matiçan, ku komisionerët po rregullonin klasat që nesër do të shndërrohen në vendvotime.

Ata vendosen kabinat e votimit, sistemuan materialet logjistike, si dhe vendosen edhe posterët informues.

Përfaqësuesja e komisionerëve në këtë shkollë Sevdije Dauti, tha se të gjitha materialet janë pranuar me kohë dhe se vendvotimi është gati për ditën e zgjedhjeve.

Ajo tha se po presin nesër edhe materialet sensitive që të fillojnë procesin zgjedhor për të cilën shpreson që të zhvillohet pa parregullësi

“Gjendemi në vendvotimin në shkollën Mitrush Kuteli. Materialin e kemi marrë me kohë, domethënë çdo gjë është në rregull. Klasën e kemi përgatitur apo vendvotimin. Materialet kanë qenë të gjitha qysh është dashur me qenë. Për nesër shpresojmë që procesi i votimit të shkojë në mënyrën e duhur, mos të ketë keqpërdorime, i lusim edhe qytetarët domethënë të shkojë një proces sa më i mirë”, deklaroi Dauti.

Në mëngjesin e së shtunës Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar dërgimin e materialeve të ndjeshme zgjedhore në komunat e Kosovës, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 7 qershor.

Ndërkaq, të dielën, më 7 qershor, qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit në procesin zgjedhor që do të zhvillohet në gjithë vendin. Qendrat e votimit do të hapen në orën 07:00.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026