Presidentja Osmani: 25 vjet më parë filloi shpëtimi i Kosovës nga shfarosja
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka kujtuar sulmet ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe, të ndodhura 25 vjet më parë.
E para e vendit, Osmani e ka falënderuar NATO-n, duke thënë se para 25 vjetësh ka filluar shpëtimi i Kosovës nga shfarosja.
“25 vjet më parë, filloi shpëtimi i Kosovës nga shfarosja. Aleancat duhet t’i ruajmë po aq sa edhe lirinë! Faleminderit përjetësisht NATO”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Osmani, së bashku me ambasadorë të akredituar të shteteve aleate kanë bërë homazhe te Memoriali i ushtarëve të rënë të NATO-s për lirinë e Kosovës, në 25 vjetorin e fillimit të intervenimit të NATO-s.
Sot mbushen 25 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë dhe Malit të Zi.
Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.