Presidenti bullgar Rumen Radev ka mbërritur të martën për një vizitë zyrtare në Republikën e Azerbajxhanit me ftesë të homologut të tij Ilham Aliyev. Delegacioni bullgar u prit zyrtarisht në aeroport.
Në delegacion janë ministri në detyrë i Energjetikës Vladimir Malinov, kryetari i Grupit të Miqësisë Bullgari-Azerbajxhan në Asamblenë Kombëtare, Hamid Hamid dhe përfaqësues të biznesit.
Në Baku, Radev do të takohet edhe me kryetaren e Parlamentit të Azerbajxhanit, Sahiba Gafarova dhe do të bisedojë me specialistë bullgarë që punojnë në fushën e sportit në Azerbajxhan.
Fuqizimi dhe thellimi i partneritetit strategjik bilateral në fushat me interes të përbashkët, duke përfshirë ekonominë, energjinë, teknologjitë e larta, inovacionet, transportin dhe turizmin, pritet të jenë në fokus të vizitës së presidentit Radev./BTA/