Presidenti i Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar nis vizitën e tij në Kosovë
Sport
Lexohet për: 2 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Presidenti i Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar, Andrew Parsons, po qëndron në vizitë në Kosovë.  Ai së bashku me kreun e Komiteti Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini sot kanë bërë hapjen e garave të boçës, goalballit dhe xhudos në palestrën e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Emini shprehu mirënjohje për prezencën e Parsons në Kosovë, duke thënë se vizita e tij është dëshmi e përkrahjes nga një institucion gjigand i paralimpizmit botëror.

“Ne, të bashkuar, do të vijojmë rrugëtimin tonë në “Paris 2024”, duke shënuar kështu kalimin e kufijve dhe duke garuar me para sportistë të klasës botërore”, tha Emini.

Ndërsa, Parsons tha se pranimi i Komiteti Paralimpik të Kosovës ndërkombëtarisht është bërë falë përpjekjeve të kreut të saj Njomza Emini, e cila u përkushtua jo vetëm për këtë proces dhe pjesëmarrjen në lojëra ndërkombëtare, por edhe për fuqinë e këtij komiteti si forcë ndryshimi në Kosovë.

Parsons gjatë ditës ka vizituar Komitetin Paralimpik të Kosovës, ku takoi Bordin Drejtues të këtij komiteti, me të cilët diskutoi rreth zhvillimit të paralimpizmit në vendin tonë, sfidat dhe rrugën përpara, duke premtuar mbështetje në realizim të objektivave të tyre.

Ndryshe, Parsons do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues dhe krerë institucionesh, personalitete të sportit dhe partnerë të para sportit. Kjo është vizita e parë e tij, e cila organizohet nga Komiteti Paralimpik i Kosovës, pak muaj pas anëtarësimit të vendit tonë në këtë instancë ndërkombëtare.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024