Presidenti i El Salvadorit dhe ai i Sllovenisë urojnë 17 vjetorin e pavarësisë
Lajme
Lexohet për: 2 min.
osmani
2 ditë më parë
Linku u kopjua

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Presidenti i Republikës së El Salvadorit, Nayib Bukele dhe nga Presidentja e Republikës së Sllovenisë, Natasa Pirc Musar me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Në mesazhin e tij, Presidenti Bukele ka shprehur urimet më të sinqerta për Presidenten Osmani dhe për qytetarët e Kosovës, duke e cilësuar këtë ditë si një simbol të forcës dhe përkushtimit të popullit të Kosovës ndaj historisë dhe identitetit të tyre.

Duke përgëzuar përparimin që ka arritur Kosova, Presidenti Bukele ka ripotencuar vullnetin e El Salvadorit për t`i forcuar marrëdhëniet e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

Në fund të mesazhit, Presidenti Bukele ka përcjellë urimet më të mira për mirëqenie, prosperitet dhe sukses për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke theksuar se kjo festë duhet të jetë një burim gëzimi dhe një angazhim ndaj idealeve që kanë formësuar shtetin e Kosovës.

Kurse, Presidentja sllovene Natasa Pirc Musar uron Presidenten Osmani për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Presidentja e Republikës së Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Në mesazhin e saj, Presidentja Pirc Musar ka shprehur urimet më të përzemërta për Presidenten Osmani dhe qytetarët e Kosovës, duke theksuar përkushtimin e vazhdueshëm të Sllovenisë për ta mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj për përparim dhe zhvillim të gjithanshëm. Ajo ka ritheksuar mbështetjen e Sllovenisë për reformat dhe angazhimet ndërkombëtare të Kosovës, si dhe për integrimin e saj në strukturat euroatlantike.

Presidentja Pirc Musar ka nënvizuar rëndësinë e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor për zhvillimin e të gjithë rajonit dhe ka shprehur gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin mes dy vendeve në kuadër të Procesit Brdo-Brijuni dhe nismave të tjera ndërkombëtare.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025