Prenga e thotë hapur se kë do ta mbështeste në luftën Joshua-Fury
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Prenga e thotë hapur se kë do ta mbështeste në luftën Joshua-Fury
Pas humbjes ndaj Anthony Joshuas, boksieri shqiptar Kristian Prenga ka dërguar një mesazh emocional për tifozët shqiptarë, duke premtuar se do të rikthehet më i fortë dhe se objektivi i tij mbetet t’i bëjë krenarë me fitore.
Në një intervistë pas meçit për “Boxingkingmedia”, Prenga theksoi se motivimi i tij nuk lidhet vetëm me përfitimet financiare, por me dëshirën për të përfaqësuar denjësisht ekipin dhe tifozët e tij.
“Para mund të fitoj. E di këtë. Por unë nuk luftoj vetëm për veten time. Luftoj për ekipin tim dhe dua t’i bëj krenarë. E di që të gjithë janë krenarë për mua, por për mua nuk mjafton. Më duhet fitorja që t’i bëj vërtet krenarë”, deklaroi ai.
Prenga u ndal edhe te mbështetja e madhe që merr nga shqiptarët, duke u kërkuar falje që nuk arriti të triumfojë ndaj Joshuas, ndërsa premtoi rikthim.
“Më vjen shumë keq që nuk ju bëra krenarë. Por do të rikthehem më i fortë. Shihemi në Mbretërinë e Bashkuar, sepse atje ka shumë tifozë shqiptarë dhe janë të çmendur. Ju faleminderit shumë. Respekt”, u shpreh boksieri shqiptar.
Në fund të intervistës, Prenga vlerësoi edhe Anthony Joshuan, duke e cilësuar si një boksier të madh dhe i uroi sukses në sfidat e ardhshme.
“Jam i lumtur që ndava ringun me të. Ai është një boksier i madh. E përgëzoj dhe i uroj fat nëse do të ndeshet me Tyson Fury”, përfundoi Prenga.
KosovaPress