Pozitë e opozitë kritikojnë ZRrE-në për shtrenjtimin e rrymës
Lexohet për: 5 min.
zrre-123
1 vit më parë
Linku u kopjua

Anëtarët e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) janë ballafaquar sot me kundërshtimet e deputetëve për propozimin e shtrenjtimit të tarifave të energjisë elektrike për 15 për qind, vendim ky i cili pritet të merret sot pasdite nga ZRrE.

E për rreth dy orë, Bordi i ZRrE-së gjatë raportimit para anëtarëve të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti. ku si temë ishte  Plani i Përformancës së ZRRE-së për vitin 2023 dhanë arsyetimin për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike.  

Për këtë i zëshëm ishte deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni i cili u shpreh se mos bërja me kohë e nominimeve për blerje nga operatorët, por edhe performanca e tyre jo e mirë ka ndikuar që tash të ketë shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave.

“Operatorët kanë dështuar në nominime me kohë dhe prandaj janë gjobitur nuk mund të vijmë në situatën që të kemi shqyrtim të tarifave për shkak të shkeljeve dhe mos performancës së mirë të dy operatorëve gjatë vitit 2022. Dhe kështu vijmë ne në një situatë që performanca jo e mirë e tyre të jetë barrë për qytetarët e vendi”, u shpreh ai.

Por, me këtë nuk u pajtua kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu i cili tha se shqyrtimi i jashtëzakonshëm i tarifave ka ndodhur për shkak të kostos së lartë të importit e cila është më e lartë sesa që është planifikuar.

“Nuk është e vërtet që është për shkak të mos performancës së tyre, është për shkak se kosto e importit është shumë më e lartë sesa që është planifikuar, dhe nuk ka të bëjë me gjoba as nuk paguhen nga ana e konsumatorëve dhe nuk hyjnë në anën që ne shqyrtojmë“, u shpreh Fejzullahu.

Fejzullahu tutja dha sqarime të tjera për shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave për energji elektrike.

Deputeti Hyseni u interesua të di nëse ZRrE do të aplikoj skenarët tjerë në vitin 2023 në rast të vazhdimit të krizës energjetike.

Sipas Hysenit rregullatori i energjisë me qejf po e bënë rishqyrtimin e tarifave.

Kryesuesi i Bordit të ZRrE-së tha se janë të gatshëm të ofrojnë përvojën e tyre për menaxhim të krizës, por menaxhimi i krizës i takon Ministrisë së Ekonomisë.

Kundërshtime për shtrenjtim të tarifave të rrymës pati edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj im cili këtë veprim e konsideroi si gabim trashanik.

Ndërsa, Lekaj u interesua edhe për zbatimin e marrëveshjes për “Elektroseverin”.

E kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Fejzullahu theksoi se ZRrE është duke kryer obligimet konform marrëveshjes për “Elektroserverin”.

Sipas tij, edhe palët tjera kanë obligime në këtë marrëveshje të Brukselit.

Deputeti Lekaj u shpreh se meqenëse “Elektoseveri” nuk po e përmbush asnjë obligim, të shqyrtohet edhe tërheqja e licencës për këtë operator.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila krahas shumë pyetje për disa rregullativa që janë paraparë të miratohet nga ZRrE këtë vit, kërkoi të di se për shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave a janë marr parasysh vetëm kërkesat e KEDS dhe KESKO.

E kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu tha se krahas kërkesave të KEDS dhe KESKO janë përfshirë edhe të gjitha investimet në transmision dhe distribucion.

Ndërsa, lidhur me rregullën  për konsumatorët vetë prodhues të energjisë që është paraparë të ndodh në tre mujorin e parë të këtij viti, Fejzullahu tha se kjo pritet të ndodh së shpejti, meqenëse ka qenë pamundur për shkak se mbledhja e kaluar ka qenë e stërngarkuar me pika të rendit të ditës.

Gjatë këtij raportimit anëtarët e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë u shprehen se kanë paraparë që edhe në vitin 2023 ta monitorojnë KEDS dhe KESKO lidhur me kushtet e  përgjithshme, shërbime që u ofrohen konsumatorëve, importet etj.

E pas përfundimit të raportimit të Bordit të ZRRE-së, ishte deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku propozoi që si Komision i Ekonomisë të dalin me rekomandim se janë kundër rritjes  së tarifave të energjisë elektrike.

Por,deputetja e LVV-së ,Mimoza Kusari-Lila u shpreh se ka qenë periudha zyrtare për rekomandime dhe çdo veprim tjetër mund të konsiderohet si cenim në pavarësinë e rregullatorit.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike pritet të mblidhet sot në orën 15:00 dhe të vendos për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike për 15%.

Komisioni në fund miratoi Planin e Përformancës së ZRRE-së për vitin 2023./B.Ibishi/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025