Politikat e të rinjve s’janë të plota, kërkojnë zërin e tyre në Kuvendin e Kosovës
Lexohet për: 5 min.
Grupi i deputeteve te rinj (8 of 32)
2 vite më parë
Linku u kopjua

Grupi i deputetëve të rinj ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Rinisë me një takim në institucionin e Kuvendit të Kosovës. Atyre u është drejtuar me një fjalim edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka theksuar nevojën e rritjes së cilësisë në arsim që sipas tij është urgjente për lidhjen shtet-shkollë.

Kurti ka thënë se shkollat duhet të zbulojnë talentin e të rinjve dhe ta ushqejnë atë.

“Mjekë mund të kërkojnë shumë vende të botës por mjek i duhen edhe çdo komune të Kosovës, teknologji të lartë i duhen mbarë globit por teknologji të larta në informacion i duhen edhe Kosovës. Cila është nyja e veprimit në këtë rast dhe çfarë kërkohet nga lidhja shtet-shkollë, rritja e cilësisë së arsimit, kjo është urgjente. I takon shkollës të vendosë të riun në kontakt me talentin e vet, ta zbulojë aty ku nuk duket dhe ta ushqejë aty ku është zbuluar, sholla e mesme është shumë e rëndësishëm në këtë aspekt”, ka thënë Kurti.

Kryeministri i Kosovës i ka inkurajuar të rinjtë që të mos presin t’u ofrohet cilësia por ta kërkojnë atë.

“Të gjitha instancat shoqërore, drejtoritë arsimore e më tej duhet ta marrin si detyrë kryesore cilësinë e stafit të mësimdhënies, të rinjtë nga ana e tyre duhet të kërkojnë cilësi. I riu nuk mëson sa për një diplomë, e s për një punë, e sa për një mbijetesë, ai ose ajo arsimohet për një jetë të tërë. Mos prisni që cilësia të jetë ofertë, cilësia duhet të jetë edhe kërkesë, që ta keni cilësinë duhet ta kërkoni atë, jo vetëm të prisni që ajo të ofrohet nga ana tjetër”, ka thënë ai.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se nevojitet trupë universitare e ndërgjegjshme dhe shkolla profesionale e moderne të frytshme.

Sipas tij, Kosovës i nevojiten edhe artizanë të shkëlqyer e jo vetëm muzikantë dhe sportistë të suksesshëm.

Kurti ka thënë se duke e mbrojtur rininë, mbrohet shoqëria duke shtuar se investimi në rini është investimi më afatgjatë.

Para të rinjve ka folur edhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, e cila ka bërë thirrje që rinia të qëndrojë në Kosovë dhe bashkërisht të kontribuojnë për zhvillim.

“Kemi shumë sfida, kemi shumë punë për të bërë, duke filluar prej shkollimit të hershëm e më tutje, por njëjtën kohë mendoj që duhet mos ta harrojmë edhe arritjet që i kemi Brenda vendit tonë dhe duhet ta marrim këtë si një element pozitiv. E kuptoj shumë mirë plot sfida të cilat të rinjtë i kanë, kam pasur diskutime të ndryshme, të problematikave të ndryshme, kam pasur diskutime ku plot të rinj më kanë thënë se nuk ka mbetur asgjë tjetër, duhet të ikin jashtë vendit, e çështje të tjera, mendoj që duhet të qëndrojmë brenda vendit, kemi mundësi të përbashkëta se si i zhvillojmë sektorët ku ne mendojmë që nuk janë në nivelin e duhur, bashkërisht. Besoj që vetëm bashkë i krijomë kushtet për të cilat ne dëshirojmë t’i kemi”, ka thënë Bogujevci.

Ndërsa, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani ka thënë se janë duke punuar në ndryshimin e ligjit për rininë në të cilin sipas saj, do të adresohen nevojat dhe sfidat e tyre.

“Përgjatë këtij viti jemi duke punuar në ndryshimin e ligjit për rini, ligj ky i cili është hartuar shumë vite më parë e në diskutime të shumta të përbashkëta që i kemi pasur këtu me përfaqësues të organizatave rinore e dimë se ka një numër të neneve të cilat duhet ndryshuar për shkak se nevojat të cilit rinia i ka aktualisht dhe sfidat me të cilat përballen nuk janë në përputhje me kornizën ligjore ekzistuese kështu që jemi duke punuar shumë afër me shoqërinë civile me përfaqësues të institucioneve të nivelit shoqëror e atyre lokal që ta ndryshojmë ligjin e të organizojmë mekanizmat që kontribuojnë në ndikimin e të rinjve në proceset vendimmarrëse të nivelit lokal dhe kombëtar”, ka thënë ajo.

Kryetar i grupit joformal të deputetëve të rinj në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Agon Batusha ka theksuar nevojën për gjithëpërfshirës.

“Duke e kuptuar që një e re dhe i ri nga Rahoveci, ka shqetësime të ngjashme si një i ri apo e re nga Ranillugu, Peja, Prizreni, Klina, Leposaviqi apo Sharri, të gjithë të rinjtë e komunave tona të Kosovës duhet të theksojmë se edhe për adresimin e tyre na duhet gjithpërfshirja. Pa përfshirjen thelbësore edhe të organizatave rinore lokale, të asamblistëve tanë të rinj nëpër komunat e Kosovës, pa përfshirjen e mendimit të të gjitha komuniteteve që përbejnë Kosovën, politikat tona rinore nuk janë të plota. Për këtë ne do të sigurohemi si grup i deputetëve të rinj dhe do të kërkojmë edhe ndihmën e juaj, të gjithë të kenë zërin e tyre në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Pas këtij takimi, Kurti ka marrë pjesë edhe në hapjen e panairit të iniciativave rinore, i mbajtur në Kuvendin e Kosovës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025